Agim Sulaj, çmim nderi me "Të varfrit dhe të pasurit"
Agim Sulaj, karikaturisti shqiptar me banim në Itali, është vlerësuar me një tjetër çmim të rëndësishëm për karrierën e tij. Në qytetin Porto të Portugalisë, po mbahet Festivali i 11 Botëror i Karikaturës, i cili do të vijojë aktivitetin deri më 25 qershor. Këtë vit, organizatorët kanë zgjedhur që tema e cila do të përfaqësojë festivalin të jetë "Kohë krize". Në 2000 vepra të paraqitura, nga 500 karikaturistë pjesëmarrës nga 70 vende të botës, vepra e artistit shqiptar Agim Sulaj është vlerësuar me çmimin e nderit. Me titull "Të varfrit dhe të pasurit", vepra paraqet në mënyrë figurative zhelanet e kohëve moderne të cilët u vënë flakën, pasunarëve bashkëkohorë. E realizuar në bardhë e zi, vepra është e drejtpërdrejtë dhe e përcjell qartë mesazhin e saj. Juria ndërkombëtare përbëhej nga karikaturisti i njohur francez Gergoes Wolinski, Peter Nieuwendeijk nga Holanda, (sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Karikaturistëve, FECO), Xaouin Marin (drejtor i Muzeumit të Humorit në Spanjë), Robero Merin nga Kili, Nuno Carvahio (përfaqësues i Ministrisë së Kulturës në Portugali), Luis Mendoca (përfaqësues i Fakultetit të Arteve të Bukura në Porto), Luis Humberto Markos (drejtor i shtëpisë botuese "Printing press Museum", Portugali). Agim Sulaj është ftuar zyrtarisht nga drejtori i përgjithshëm i "Porto Cartoon", Luís Humberto Marcos, të jetë pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve, në Festivalin e Humorit dhe Karikaturës në Portugali.