Mrekullia islandeze

S’ka para, banka të huaja dhe spekulantë. Janë shpëtuar pagat, kursimet dhe pensionet e qytetarëve. Një zhvlerësim i shëndoshë. Dhe tani, nëse e lejojnë rrethanat, hyrja në euro. Nëse Athina qan, Reikjaviku, për befasi, ka rinisur të qeshë.
Rruga arktike nga kriza e borxheve sovrane ka funksionuar. Dhe tri vjet pas çarjes së parë të një vendi evropian, Islanda është gati të rikthehet në Bruksel me kapelë në dorë dhe për këtë askush nuk do të kish vënë bast as edhe një koronë, me llogaritë në rregull. Shifrat thonë gjithçka.
Në tetor 2008, ishulli ishte një grumbull rrënojash ekonomike: bankomate në gjendje të artikulonin vetëm tre fjalë: “tërheqje e pamundur”, borxhe të barabartë me 500 mijë euro për kokë (italianët sot i kanë 31 mijë euro për kokë) dhe me tri bankat kombëtare që u shembën si birila brenda një jave. Sot, 36 muaj dhe 5 miliardë euro ndihma më vonë, rimëkëmbja është gjë e kryer: GDP-ja, që ishte minus 11 për qind mes vitit 2009 dhe 2010, këtë vit do të rritet për 2.8 për qind; inflacioni ka rënë nga 18.6 në 5 për qind. Dhe kompanitë kanë nisur ta rimarrin veten. “Është e vërtetë”, pranon pa shumë bujë Ministri i Ekonomisë, Arni Pall Arnason, “kemi ecur”.
“Nuk do të flisja për mrekulli, por gjërat po ecin më mirë”, konfirmon duke fërkuar mjekrën e bardhë Sigurdur Besasson, Sekretar i Effling, sindikata më madhe kombëtare. Edhe delegacioni aspak fleksibil i Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas tri viteve mbi kryet e (ish) vendit më të lumtur në botë, është dorëzuar para provave. Dhe në fund të gushtit bëri gati valixhet për t’u kthyer në Washington. “Misioni u krye”, ishte bilanci i drejtorit Benny Andersen. “Të gjithë objektivat u arritën”, shtoi ai.
Dhe duket qartë. Laugavegur, rruga më elegante e kryeqytetit është e mbushur si në kohërat më të mira. “Kam shitur tri kostume të Baba Dimrit që tani”, thotë pa e fshehur gëzimin Anne, shitëse në dyqanin historik të rrobave për Krishtlindje. “Kjo nuk ka ndodhur që prej vitit 2007. Njerëzit kanë dëshirë të festojnë”, shton ajo.
“Përfunduam në ferr. Por tani, ja tek jemi. Jemi kthyer përsëri!” konfirmon Gudfinnur Haldarsson në zyrën e Bilasal Gudfing, kompania e tij koncesionare e makinave të përdorura. “Dikur dukej sikur jetonim në vendin e lodrave”, kujton pa nostalgji.
Ishin kohëra të tjera. Sot, pas shpërthimit të flluskës spekulative, islandezët dhe Halldarsson janë kthyer me këmbë në tokë, dhe në rrugën e mrekullueshme përgjatë brigjeve të Atlantikut nuk ka më gjurmë të automjeteve luksoze, si Porsche. Prapë s’ka problem. “Fatura e shitjeve të kësaj jave, dy Athos, një Opel Omega dhe një Land Cruiser i vitit 2006, mjafton për të më mundësuar edhe një herë si dikur përsëri një javë skish në Val Gardena”, thotë Halldarsson.
Evropa duartroket me pakëz zili. Receta që bëri të rilindë Reikjaviku që nga rrënojat e veta, është e kundërta e lotëve dhe gjaku që i kërkohet sot Greqisë. Athina, për gëzimin e Berlinit, nuk mund t’i lejojë vetvetes përbërësin kryesor: zhvlerësimin për 60 për qind të koronës. Po kështu edhe sa i përket tonit të butë të evropianëve, ndërkohë që vikingët kanë zgjedhur të kapën për brirësh demin e spekulimeve.
“I majtë apo i djathtë, pak rëndësi ka. Këtu askush nuk ka menduar as edhe për një sekondë që të detyrojë islandezët të paguajnë faturën e krizës”, thotë Thor Gylafson, ekonomist i Universitetit të Islandës.
Tri vjet më parë, kur orteku i borxhit prej 1100 për qind të GDP (në Greqi jemi ende tek 150 për qind) mori para ishullin, Kryeministri konservator, Geir Haarde, sot nën proces për neglizhencën e atëhershme, nuk pati dyshime: i transferoi kursimet e bashkatdhetarëve të tij brenda natës në llogaritë rrjedhëse të tri bankave të reja dhe braktisi kredidhënësit e huaj në fatin e tyre, duke ngrirë paratë e tyre në institute të vjetra, që përfunduan në likuidim.
Qeveria e re e Kryeministres Johanna Sigurdardottir ka vazhduar në të njëjtën rrugë. “Suksesi na tregon që nuk kemi gabuar”, thotë ministri i Financave, Steingrimur Sigfuson. Morali: tre ditë pas shembjes, islandezët filluan të tërheqin koronat e tyre nga bankomatët e Reikjavikut, ndërkohë që pjesa tjetër e botës (ekspozuar me 85 miliardë mes bonove, llogarive rrjedhëse të ngrira dhe aksioneve në portofol) mbeti gojëmbyllur, në pritje të procedurave të falimentimit, nga të cilat nëse gjithçka shkon mirë do të marrë vetëm 30 për qind të kapitalit të investuar. E kundërta e asaj që po ndodh në Athinë, ku taksën më të madhe për krizën e paguajnë grekët.
“Këtu tek ne nuk mund të ndodhte: njihemi të gjithë”, thotë Besasson. “Jemi pak dhe punuam bashkë. Sindikalistë dhe sipërmarrës. Peshkatarë dhe fermerë. Kundër rrymës ishte vetëm oligarkia e financierëve dhe pronarëve të anijeve, që vetëm fituan nga flluska spekulative”, shton ai.
Sigurisht, 4 mijë persona, mes të cilëve një mijë elektricistë u larguan nga ishulli për të kërkuar fatin jashtë vendit. Shumë për një vend që ka vetëm 320 mijë banorë. Por pasi u shtetëzua sistemi financiar, prioriteti i qeverisë u bë mbrojtja e të ardhurave të qytetarëve, të vëna tashmë në provë të vështirë nga investimet e djegura në bursë, huat që u kish kaluar afati dhe inflacioni. Pagat nuk u ulën, pensionet mbetën të paprekur. “Dhe për të shmangur një ringjallje të krizës, mbështetëm tregun e punës me një sërë politikash ndihmëse”, thotë numri një i sindikatave.
“Unë humba vendin e punës në shkurt 2009, kur kompania e ndërtimit për të cilën punoja falimentoi”, rrëfen Karol Yarzinska, imigrant polak 26-vjeçar, që mbërriti këtu në vitin 2006. “Dakord, nuk kam një zanat, por subvencioni i papunësisë që më skadon në vitin 2013, është një mijë euro në muaj. Dhe me disa orë punë rastësore në shkarkim arkash, arrij të mbaj jo vetëm veten. Në shtëpinë time, në Lodz, do të isha më keq”, rrëfen Yarzinska.