Muaji i mjaltit 20-vjeçar që Kosova ka me Sali Berishën
Kur President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte republikani Ronald Regan, një kongresiste demokrate e pat quajtur atë “Teflon President”. Prej atëherë, titullin “teflon”, mediat e rezervojnë për ata politikanë, ose fytyra publike, që janë imunë ndaj shkrimeve dhe kritikave. Opinioni, për arsye të panjohura, i dashuron disa personalitete. Përndryshe, tefloni është një material kimik sintetik, që, mes tjerash, përdorët tek enët e kuzhinës dhe mundëson që ushqimet e fërguara aty të mos ngjitën. Për Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, nuk ka pasur kurrë shumë kritika në raport me Kosovën. Por, edhe ato që kanë qenë, opinioni publik i Kosovës nuk i ka përfillur. Shqiptarët e Kosovës me Sali Berishën janë në muaj të mjaltit që nja 20 vjet. E kanë dashur kur ka qenë ai President i Shqipërisë, kur ka qenë lider i opozitës, dhe vazhdojnë ta duan me intensitet të shtuar tash kur është Kryeministër. Pavarësisht temave që hapen në Shqipëri.
Por, pritni... se kjo është marrëdhënie interesante. Kalon prej raporteve shumë të mira, në raporte të shkëlqyeshme. Ky burrë që ka lindur vetëm tri kilometra përtej kufirit të Kosovës, në Tropojë, deri tash vendin tonë e ka vizituar dy herë, gjatë vitit 2006. Në vitin 2000, ndonëse u nis për në Kosovë, u detyrua të kthehej prapa në kufi, sepse Shefi i atëhershëm i UNMIK’ut, Bernard Kouchner, e shpiku një arsye për ta penguar. I tha se nuk kishte kërkuar leje paraprakisht. Shumëkush në Kosovë ketë arsyetim e ka konsideruar si tepër cinik. Kryeministri i Shqipërisë priti ditë më të mira për ta realizuar vizitën e tij. Por, ndonjëherë historia di të bëjë lojëra të ndyra, dhe Berisha u detyrua të shkelte këtu për mort. Herën e parë, erdhi në Kosovë për të marrë pjesë në varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova, me të cilin ndante kujtime më shumë të mira sesa të këqija për plot 16 vjet.
Pasi e kishte mësuar rrugën, nuk shkoi as 6 muaj dhe erdhi prapë. Tash, i ftuar institucionalisht. Mori disa çmime prej institucioneve të Kosovës dhe kudo që shkonte pritej me tupanë.
Kryeministri shqiptar ka premtuar që përpara 30 qershorit të këtij viti do t’i thyejë bjeshkët dhe do t’i afrojë shqiptarët si kurrë më parë gjatë historisë. Ka premtuar që “mezi nuk po pret” ta vizitojë Kosovën sërish, sapo rruga e re të bëhet e kalueshme. Tupanët e vërtetë për Berishën do të bien atë ditë.