E Diel, 1 Nëntor 2026

Muaji korrik, dy të vdekur në ditë nga aksidentet rrugoreNga TemaMuaji korrik i këtij viti ka shënuar një bilanc të hidhur, teksa si pasojë e aksidenteve rrugore kanë gjetur vdekjen 48 persona dhe 46 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Krahasuar

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Muaji korrik, dy të vdekur në ditë nga aksidentet rrugoreNga Tema

Muaji korrik i këtij viti ka shënuar një bilanc të hidhur, teksa si pasojë e aksidenteve rrugore kanë gjetur vdekjen 48 persona dhe 46 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, viktimat nga aksidentet janë dyfishuar. Sakaq, edhe numri i aksidenteve është rritur, teksa këtë korrik kanë ndodhur plot 148 aksidente rrugore, nga 105 aksidente të ndodhura korrikun e vitit të kaluar. Aksidentet rrugore kanë vazhduar edhe dje të marrin jetë njerëzish, teksa katër persona, tre prej të cilëve pjesëtarë të së njëjtës familje, kanë gjetur vdekjen.

Statistikat

Në bazë të statistikave të Policisë së Shtetit, rezulton që gjatë muajit korrik aksidentet rrugore të kenë pësuar një rritje të ndjeshme. Kështu, gjatë këtij muaji, sipas policisë, kanë ndodhur 148 aksidente rrugore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i tyre është më i lartë, duke qenë se në korrik 2008 kanë ndodhur vetëm 105 aksidente automobilistike. Për pasojë, edhe numri i viktimave ka qenë më i lartë korrikun e këtij viti, krahasuar me atë të vitit të kaluar. Kështu, gjatë muajit që lamë pas, si pasojë e aksidenteve rrugore gjetën vdekjen 48 persona, ndërsa mbetën të plagosur rëndë 46 persona të tjerë. Viktimat e aksidenteve rrugore vitin e kaluar ishin dy herë më pak, 25, ndërsa të plagosurit ishin vetëm 33 persona.

Sipas Policisë së Shtetit, një pjesë e mirë e aksidenteve rrugore kanë ndodhur për pasojë të hyrjes së një numri të madh autoveturash të emigrantëve, të cilët janë përfshirë pothuajse në të gjitha aksidentet e ndodhura gjatë muajit korrik. “Gjatë këtij sezoni, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria 579 540 automjete ose 133 mijë automjete më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një pjesë e madhe e aksidenteve janë shënuar pikërisht nga emigrantët”, - bëri të ditur dje zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko. Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet normat e sjelljes së Kodit Rrugor, dhe të ndërgjegjësohen për pasojat e rënda që sjell mos zbatimi i këtyre rregullave për ta. Kjo e fundit bëri me dije së është e vendosur që të ndëshkojë maksimalisht drejtuesit e automjeteve që nuk zbatojnë normat dhe rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas statistikave të policisë, gjatë këtij 7-mujori janë vendosur rreth 355 mijë gjoba dhe janë hequr rreth 6 mijë patenta, 70% e të cilave janë hequr për shpejtësi. Ndërkohë, për të shmangur aksidentet e mundshme, Policia e Shtetit tha se, “Policia Rrugore, e mbështetur dhe nga policia e Rendit dhe e Forcave Lëvizëse operacionale prej disa ditësh ka kaluar në shërbim të përforcuar, duke shtuar prezencën e saj në akset rrugore. Gjithashtu, janë ngritur disa grupe Task Forcë, të drejtuara nga Drejtoria e Policisë Rrugore, për të operuar në të gjithë territorin e vendit”.

Përveç kësaj, policia kërkoi nga drejtuesit e automjeteve që “të ulin shpejtësinë gjatë drejtimit të mjeteve, të mos përdorin automjetin nën efektin e alkoolit, të përdorin rripat e sigurimit dhe kaskat mbrojtëse për të minimizuar sa më shumë të jetë e mundur aksidentet dhe pasojat e tyre. Në të kundërt, Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë maksimalisht drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”.

Masat e policisë së kryeqytetit

Duke parë rritjen e ndjeshme të numrit të aksidenteve rrugore, policia e kryeqytetit bëri të ditur dje përforcimin e masave të marra, me qëllim parandalimin e tyre. Kështu, vetëm gjatë ditës së djeshme, kjo e fundit ka vendosur 600 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve, të cilët janë konstatuar me shkelje gjatë qarkullimit me mjetet e tyre. “Shërbimi i Policisë Rrugore Tiranë vetëm ditën e djeshme ka vendosur 420 masa administrative në qytet dhe 180 masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë qarkulluar në linja”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit. Kjo e fundit bëri me dije se shërbimi i Policisë Rrugore, mbështetur dhe nga Patrullat e Përgjithshme, do të organizojnë pika kontrolli të lëvizshme në rrugët nacionale në kryeqytet, si dhe në superstradën Tiranë-Durrës, me synim konstatimin dhe ndëshkimin e drejtuesve kundërvajtës. Sipas Policisë së Tiranës, “kryesisht masa do të merren në drejtim të: ecjes tej normave të lejuara të shpejtësisë, përdorim i pijeve alkoolike, mosrespektim të sinjalistikës rrugore, mosvendosje të rripit të sigurimit, përdorim i telefonit celular gjatë përdorimit të mjetit, mospërdorim i kaskës mbrojtëse nga ana e drejtuesve të mjeteve çiklomotorë dhe motoçikleta”. Kjo e fundit kërkoi ndërgjegjësimin e opinionit dhe drejtuesve të automjeteve, nga të cilët kërkoi të jenë më të kujdesshëm gjatë dhënies së automjeteve të tyre. “Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës dhe kërkon mbështetjen e opinionit publik në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuara në Kodin Rrugor”, - apeloi policia e kryeqytetit.

Aksidentet vazhdojnë të marrin jetë

Pavarësisht masave të deklaruara nga ana e policisë, të cilat janë marrë me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, ato vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Edhe gjatë ditës së djeshme katër persona, tre prej të cilëve pjesëtarë të së njëjtës familje, kanë gjetur vdekjen si pasojë e dy aksidenteve rrugore. Kështu, mëngjesin e djeshëm, në superstradën Lezhë-Shkodër, në dalje të qytetit të Lezhës, tre persona nga e njëjta familje kanë mbetur të vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur. Në aksident janë përfshirë një automjet tip “Mercedes”, me targa të Bajram Currit 0318 B, ku udhëtonin 4 pjesëtarë të familjes Dema nga Tropoja, është përplasur me një kamion me targa të Tiranës 8470 P, që drejtohej nga 40-vjeçari Baftjar Vladi, punonjës pranë firmës “Albavia”. Përplasja ka qenë tepër e rëndë dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit Ermira Dema, Fadil Dema dhe Sali Dema, pjesëtarë të një familjeje, ndërsa është plagosur rëndë drejtuesi i autoveturës, Ermal Dema. Të plagosur kanë mbetur edhe drejtuesi i kamionit, Baftjar Vladi dhe një 15-vjeçar, kalimtar i rastësishëm. Për nxjerrjen e trupave është dashur ndërhyrja me mjete metalprerëse, për shkak të dëmtimit të madh që kishte pësuar automjeti tip “Mercedes” pas përplasjes. Policia bëri me dije se shkak i këtij aksidenti ka qenë ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga autovetura me targa të Bajram Currit, e cila nga rruga dytësore po tentonte të hynte në rrugën kryesore. Sakaq, në aksidentin tjetër, të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Peqin, një i ri ka humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë kanë gjetur vdekjen. Në aksident janë përfshirë dy automjete, njëri me targa të huaja, tip “Renault” dhe tjetri me targa Vlore, tip “Golf”. Si pasojë e këtij aksidenti gjeti vdekjen Besnik Omeri, 30 vjeç, i cili ishte në drejtimin e makinës tip “Volkswagen Golf” me targa të Vlorës, 5584 C. Sakaq ndër të plagosurit, të cilët u dërguan menjëherë në spitalin e Elbasanit, në rrezik për jetën paraqitet Avni Xhepi, 50 vjeç, kurse tre të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›