E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleksandër Biberaj: PD e rrezikon vetë lidershipi i saj Nga MAPOEdhe pse nuk janë certifikuar zyrtarisht zgjedhjet, tashmë është ravijëzuar koalicioni që do të drejtojë vendin. Si i gjykoni rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve? Gjykoj se duh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Aleksandër Biberaj: PD e rrezikon vetë lidershipi i saj Nga MAPO

Edhe pse nuk janë certifikuar zyrtarisht zgjedhjet, tashmë është ravijëzuar koalicioni që do të drejtojë vendin. Si i gjykoni rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve?

Gjykoj se duhet pritur certifikimi zyrtar i rezultatit të zgjedhjeve, si dhe vlerësimi ndërkombëtar për procesin zgjedhor, me qëllim që të flasim duke u bazuar në rezultate dhe vlerësime zyrtare. Gjithsesi, nga rezultatet paraprake duket qartë se asnjë parti apo koalicion i vetëm nuk ka fituar 71 mandate deputetësh për të krijuar qeverinë, siç kishin premtuar para dhe gjatë fushatës elektorale dy koalicionet e mëdha të udhëhequra respektivisht nga PD dhe PS. Po ashtu, as dy koalicionet e tjera më të vogla, të drejtuara respektivisht nga Ilir Meta dhe Aleksandër Meksi, pavarësisht shkaqeve, nuk arritën objektivat e tyre. Ndonëse Ilir Meta kishte premtuar të fitonte 34 mandate, arriti të fitojë vetëm 4; ndërsa Poli i Lirisë shpresonte të futej në parlament, por nuk arriti dot. Parë në këtë këndvështrim, asnjë nga liderët e katër koalicioneve që garuan në zgjedhjet e 28 qershorit nuk arriti objektivat e shpallura dhe të premtuara publikisht. Më 28 qershor shqiptarët nuk i dhanë asnjë lideri politik, asnjë partie apo koalicioni të drejtën për të vetë-qeverisur, leksion ky që duhet lexuar, kuptuar dhe zbatuar drejt nga lidershipi i politikës shqiptare. As forca ime politike, PD, nuk arriti objektivat e shpallura dhe të premtuara nga lidershipi. PD rezulton të jetë parti dhe koalicion fitues në numër mandatesh, por jo për të krijuar qeverinë e vetme me aleatët e saj, ndërkohë kujtoj që mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e vitit 2005, arriti të marrë 84 vota në parlament në votëbesimin e qeverisë së re dhe programit të saj në shtator 2005. Është e qartë se për PD rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që pritej. Rezultati i këtij vitit është larg atij të vitit 2005 dhe larg atij që premtohej gjatë fushatës elektorale. Paraprakisht rezultatet në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Vlorës janë më të dobëta se sa priteshin. Pas daljes së rezultateve përfundimtare gjykoj se PD duhet të bëjë analizën e zgjedhjeve, sidomos në ato qarqe ku rezultatet nuk janë ato që priteshin. Në këto rezultate jo të kënaqshme mund të kenë ndikuar faktorë të ndryshëm qendrorë dhe lokalë, të cilët besoj se do të kemi kohë t’i analizojmë në të ardhmen”.

Lidhur me standardet e këtyre zgjedhjeve, a mendoni se u arritën nivelet ndërkombëtare?

Edhe për këtë gjykoj se duhet pritur raporti përfundimtar i institucioneve ndërkombëtare të specializuara në certifikimin e proceseve zgjedhore, gjithsesi, paraprakisht duket qartë se fatkeqësisht as këto zgjedhje nuk plotësuan standardet ndërkombëtare.

Me sa duket edhe këtë herë të ashtuquajturit skifterë të politikës shqiptare dolën më të zotë se pëllumbat me mesazhet e tyre për demokratizim dhe standarde të larta të politikës shqiptare...

Na pëlqen apo s’na pëlqen, fatkeqësisht por edhe shpeshherë kjo është historia e politikës së vendit tonë, histori skifterësh në qiell dhe hienash në tokë. Jemi quajtur nga të huajt si vendi i shqiponjave, por, me sa duket, shpeshherë ligjin nuk e bëjnë shqiponjat, por skifterët. Është interesant fakti se këta të ashtuquajtur skifterë të politikës që ju përmendni, ditën kacafyten “për vdekje” me njëri-tjetrin duke tmerruar një popull të tërë, ndërsa, sapo bie nata, ata i futen në krevat njëri-tjetrit për t’u zgjuar përsëri herët në mëngjes, me shpresën se nuk i ka parë kush dhe për të vazhduar teatrin e tyre sa tragjikomik aq edhe absurd. Por tani që gjërat po dalin çdo ditë sheshit dhe populli po merr vesh gjithçka, le të shpresojmë që shpejt do të ikë edhe epoka e skifterëve për t’i lënë vendin epokës së pëllumbave, siç ka ndodhur shumë kohë më parë me popujt e tjerë të civilizuar. Edhe epoka e akullnajave megjithëse zgjati shumë, një ditë mbaroi duke i lëshuar vendin epokës së diellit dhe të jetës në tokë.

Keni qenë një nga imazhet e politikës së re shqiptare në strukturat evropiane, derisa ju larguan. Si e shikoni procesin e mënjanimit të liberalizimit të vizave për shqiptarët, ndërsa janë favorizuar serbët, maqedonasit dhe malazezët me probleme jo më pak se shqiptarët?

Për këtë vonesë do të thosha se përgjegjësia bie direkt mbi klasën politike shqiptare, mbi qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë gjatë tranzicionit dhe mbi qeverinë aktuale. Është më se e qartë se ne nuk kemi plotësuar kushtet për lëvizjen e lirë dhe fatkeqësisht akoma edhe sot nuk ka një afat se kur do të plotësohen këto kushte, se kur shqiptarët do të lëvizin pa viza në Evropë. Për 4 vjet në institucionet evropiane kam parë vetëm dashamirësi, predispozicion pozitiv dhe mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët, kështu që e përsëris që përgjegjësia është totalisht e politikës. Evropa ka kohë që e ka hapur derën për ne, por rrugën për të shkuar atje duhet ta gjejmë dhe ta shtrojmë vetë ne politikanët shqiptarë. Natyrisht, të vjen keq dhe nuk ndjehesh mirë që mbetemi të fundit në Ballkan, për sa i përket lëvizjes së lirë, një ëndërr e vjetër kjo e shqiptarëve, por dhe një nevojë shumë e madhe e shqiptarëve për punësim jashtë, për arsimim, për kujdes shëndetësor, për bashkime familjare apo qoftë edhe për turizëm. Fatkeqësisht, si gjithmonë, pasojat e politikës bien mbi popullin, pasi politikanët nuk kanë pasur ndonjëherë probleme për të lëvizur lirisht jashtë.

A ka ndodhur një largim gradual i të gjithë deputetëve që u etiketuan dikur si përkrahësit e presidentit Topi?

Dëshiroj të sqaroj edhe një herë se z. Topi nuk krijoi ndonjëherë ndonjë grup brenda PD, përkundrazi janë të tjerë ata që kanë krijuar grupe, janë marrë me grupe apo i kanë mbështetur këto grupe. Ironia e fatit është se janë pikërisht ata që krijojnë grupe, merren me grupe dhe funksionojnë në bazë grupi, sekti apo klani, të cilët për interesat e tyre klanore përpiqen të etiketojnë të tjerët si krijues grupesh apo pjesëmarrësish në grupe. Jam krejt i bindur se po të kishte krijuar një grup z. Topi në PD, konfiguracioni në lidershipin e PD, në qeverisje dhe në grupin parlamentar do të ishte krejt ndryshe. Në zgjedhjen si President i Republikës z. Topi është mbështetur totalisht nga grupi parlamentar i PD, pasi z. Topi ishte kandidat zyrtar i PD për president, bazuar kjo edhe në vendimet e forumeve politike të PD (kryesisë dhe grupit parlamentar). Kjo është e vërteta zyrtare që unë di, se çfarë kulisash, prapaskenash apo intrigash mund të kenë qarkulluar në atë kohë nëntokë, unë nuk di gjë, pasi as s’e kam vrarë mendjen dhe as nuk jam shqetësuar apo interesuar për këto pjesë të padukshme, sepse i përkas atij brezi politikanësh dhe asaj gjenerate që politikën e ushtrojnë në dritë të diellit dhe jo skutave të errëta. Dëshiroj të theksoj se rreziku PD nuk i vjen as nga z. Topi dhe as nga i ashtuquajturi grup mbështetësish të z. Topi, por i vjen nga fryma klanore, klienteliste dhe përçarëse që është mbjellë dhe që mbështetet në PD nga vetë lidershipi i PD. Rreziku real PD i vjen nga mungesa e demokracisë së brendshme dhe e konkurrencës së ndershme në parti, gjë që pengon edhe një rotacion normal elitash brena PD, i vjen nga shkelja flagrante e statutit dhe nga shmangia e forumeve, i vjen nga shmangia dhe mosrespektimi i vlerave, parimeve dhe kontributeve, i vjen nga përqendrimi jo-statutor i pushtetit në pak duar, i vjen nga tendencat autoritariste në parti, si dhe tendencat për monopolizim dhe privatizim të partisë, i vjen nga mosruajtja e ekuilibrave dhe balancave brenda partisë, i vjen nga spastrimet dhe përjashtimet politike, fenomene tepër negative që këto nuk i bëjnë aspak nder PD. Pikërisht shërimi i këtyre plagëve do të ndihmonte PD për ta kthyer atë në një parti të vërtetë demokratike të tipit perëndimor.

Keni dhënë personalisht një kontribut të madh 18-vjeçar në politikën e demokratizimit të PD dhe në përgjithësi të përqasjes me standardet bashkëkohore euroatlantike. Si do të kontribuoni këtej e tutje në PD?

Duke pasur respekt absolut për parlamentin si institucionin kryesor të një republike të vërtetë parlamentare, do të thosha se politikë nuk bëhet vetëm në parlament. Do të shfrytëzoj çdo hapësirë që më jep statuti i PD dhe sistemi demokratik për të vazhduar misionin tim dhe të brezit tim, të filluar me 8 dhjetor 1990 në Qytetin Studenti, mision që synon të demokratizojë, emancipojë dhe modernizojë, jo vetëm PD, por edhe politikën, shoqërinë shqiptare dhe vendin në përgjithësi. Natyrisht që rruga nuk ka qenë pa pengesa as deri sot dhe e di që nuk do të jetë e lehtë as në të ardhmen, por besoj te vetja, besoj te brezi im, besoj te kauza jonë, besoj tek idealet dhe parimet demokratike, besoj te vlerat dhe vitaliteti i popullit shqiptar, besoj te koha që ecën dhe askush s’mund ta ndalojë dot, besoj te Zoti. Jam krejt i bindur se kauza e brezit të viteve ‘80, që në fakt përfaqëson kauzën dhe aspiratat e shumë e shumë brezave dhe gjeneratave për liri dhe demokraci, pavarësisht devijimeve që i janë bërë gjatë këtyre 20 viteve, nuk vdes kurrë, ajo përbën manifestin politik të demokracisë shqiptare të kohëve moderne.

Me sa duket, politika shqiptare, ku bën pjesë edhe PD, po orientohet më shumë drejt interesave ekonomike sesa investimeve afatgjata në politikë, duke iu larguar çdo ditë e më shumë idealeve të Lëvizjes së Dhjetorit ‘90, ku ju keni qenë një nga ideatorët e saj?

Jo vetëm në PD, por në përgjithësisht në politikën shqiptare, me sa duket, nuk ka më as ideale, as idealizëm dhe as idealistë, nuk as parime, as vlera dhe as moral. Idealistët përfaqësojnë në politikë dhe në shoqëri një rrymë apo një fluks, që shpeshherë tkurret dhe duket sikur po zhduket, por fatmirësisht ky fluks nuk zhduket asnjëherë, pasi kjo do të vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën e vlerave, të qytetërimeve dhe të vetë kombeve. Fatkeqësisht, në politikën shqiptare shumë shpejt idealizmi u zëvendësua me materializmin, parimet u zëvendësuan me pragmatizëm, vlerat me antivlera, morali me antimoral, deformime këto që bota demokratike i ka kaluar shekuj më parë, ndërsa neve na ra t’i kalojmë tani. Gjithsesi nuk duhet dekurajim.

Sipas mendimit tuaj, sa i natyrshëm është koalicioni PD-LSI?

Po të flasim në natyrë, është më se e qartë se ky koalicion nuk është fare i natyrshëm, ndërsa, po të flasim në vlerë, është më se e qartë se ky koalicion është koalicion vlerash numerike. Nga teoritë e numrave në matematikë dimë që çdo gjë që ka për bazë logjikën numerike, është një algoritëm me zgjidhje vetëm komerciale, pa lënë vend shumë për parime, programe apo vlera jo-numerike.

Si e shikoni lakueshmërinë e Ilir Metës në drejtim të pragmatizmit?

Jemi bashkëmoshatarë me z. Meta dhe e kemi filluar politikën bashkë në Dhjetorin ‘90 në Qytetin Studenti, por shumë shpejt rrugët dhe kampet tona politike u ndanë. Në rastin konkret kuptohet që z. Meta është treguar shumë pragmatist. Uroj sinqerisht që me këtë pragmatizëm, ndoshta edhe të detyruar nga rrethanat, z. Meta të mos cenojë apo dobësojë sadopak të ardhmen politike të tij dhe të partisë së tij.

Si e shikoni kultin e individit dhe rotacionin e elitave politike në Shqipëri, pasi kemi 20 vjet me të njëjtën elitë politike? A është ky edhe një tregues i mungesës së demokracisë dhe rregullave të lojës në partitë tona politike?

Parimisht kam qenë dhe mbetem totalisht kundër kultit të individit, jo vetëm sot, as vetëm dje, dhe as vetëm me 8 dhjetor ‘90, por të paktën që kur kam lexuar apo mësuar për kultin e individit, përfshirë edhe Kongresin e XX të PKBS të vitit 1956, ku u godit kulti i individit i Stalinit. Kam qenë dhe mbetem për rotacion elitash politike, jo vetëm sot, as vetëm dje, dhe as vetëm me 8 dhjetor ‘90, por që kur shikoja në parakalimet e 1 Majit apo paradat e 29 Nëntorit, për vite dhe dekada me radhë të njëjtat portrete të mërzitshme të udhëheqësve komunistë të PPSH, portrete të zymta dhe pa jetë, portrete me të njëjtën ngjyrë të murrme monotone, portrete tejet të konsumuara dhe të amortizuara, portrete të pluhurosura dhe të mykura nga koha e gjatë e mbylljes nëpër magazina dhe e qëndrimit në pushtet. Këto portrete nuk ndryshonin asnjëherë, me përjashtim të rasteve kur ndonjëri ikte nga kjo jetë ose shpallej armik i partisë dhe popullit. E njëjta gjë e mërzitshme ndodh sot vetëm në vende jodemokratike me regjime jodemokratike, si në Kore të Veriut, Kubë, etj. Në çdo vend demokratik ka rotacion elitash. Aty ku ka demokraci, ka edhe rotacion elitash. Aty ku nuk ka demokraci, nuk ka as rotacion elitash. Jo më kot në vendin kampion të demokracisë botërore, SHBA, presidenti kushdo qoftë, sado i mirë apo i suksesshëm qoftë, gjeni, Zot apo perëndi qoftë, nuk mund të zgjidhet më shumë se dy mandate. Siç duket duhet akoma kohë që partitë tona shqiptare të bëhen demokratike si PD apo PR në SHBA, por pas 20 vjetësh tranzicioni politik besoj se koha ka ardhur.

Partia Socialiste, që mori një mandat të dytë qeverisës në vitin 2001, nuk e konsumoi dot me parametra të lartë. Si e shikoni ju vetë mandatin e dytë të PD në qeverisje?

Historia e këtyre 20 viteve tranzicion, por sidomos historia e mandateve të dyta qeverisëse të së njëjtës forcë politike, tregon se pushteti kalbet akoma pa mbaruar mandati i parë, kështu që mandati i dytë lind i kalbur që në embrion. Në rastin që ju përmendni, siç kujtojmë, për qeverisjen e vitit 2001 nuk bëhej më fjalë për cilësi qeverisjeje, por vetëm për shtyrje ditësh në qeverisje dhe për kohën e dekompozimit të plotë të saj, siç edhe ndodhi në të vërtetë. Uroj që qeverisja e dytë e PD të jetë ndryshe dhe dukshëm më e mirë se kjo e para që po mbyll mandatin, pasi ky është edhe interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjithsesi le t’ia lëmë kohës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›