E Diel, 1 Nëntor 2026

Sandri fillon aksionin për të marrë gjithë tenderët e rrugëveNga Antena brenda familjesSandri po mendon të nisë biznese të reja në këtë mandat. Ia ka vënë syrin rrugëve. Është bërë ziliqar që Fahri Balliu ka marrë 120 milionë euro tenderë me emrin e

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sandri fillon aksionin për të marrë gjithë tenderët e rrugëveNga Antena brenda familjes

Sandri po mendon të nisë biznese të reja në këtë mandat. Ia ka vënë syrin rrugëve. Është bërë ziliqar që Fahri Balliu ka marrë 120 milionë euro tenderë me emrin e një firme të huaj dhe ka nisur projektet e tij. Pyeti mirë e mirë si e kishte bërë planin Fahriu. Ai kishte gjetur një firmë që po falimentonte në Austri, i kishte gjetur kunatin gruas së pronarit nga Serbia, ishte bërë bashkë me të, kishin hapur një filial në Tiranë dhe pa asnjë zetor kishte marrë 120 milionë euro punë, që ende nuk i është marrë asnjë gjë në dorëzim, edhe pse qeveria ka katër vjet që paguan.

Kështu vendosi dhe Sandri. Ka gjetur një refugjat, ka marrë nga interneti letrat e një firme italiane, A.K.M.A.R., dhe tani çdo ditë terrorizon Drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve për t’i marrë tenderë.

Këtë javë e ka pak problem kur e merr, se i duhet të thotë që jam në SHBA, se kur është në Tiranë, e ka më lehtë.

- Ja, isha pak te doktori, folëm dhe për ty dhe më tha: “Fol vetë me Andin, se të dëgjon.”

Tani i duhet ta marrë nga Amerika. Por dhe andej e gjen mënyrën si t’ia thotë.

- Po ku je mo burrë, ke humb fare? Sa fola tani dhe me doktorin në telefon, i thashë këta të rrugëve kanë rënë rehat tani, se menduan që mbaroi puna më 28 qershor, po puna tani ka filluar. E di ti apo jo, të ka thënë doktori që kam marrë përfaqësinë e firmës më të madhe italiane? Ja e ke dhe në internet, shikoje, A.K.M.A.R. “Do bëjmë nja dhjetë rrugë me këtë”, - më tha doktori. Më tha: “Shiko Aksin e Jugut, Rrugën e Arbrit, rrugën Berat-Përmet, Korçë-Tepelenë, shiko dhe ndonjë rrugë tjetër, - më tha, - se ajo është firmë e madhe dhe nuk vjen për rrugë fshati këtu.

- S’e di mor burrë, s’më ka thënë gjë akoma, - i thotë drejtori.

- Hajt se e merr vesh, të thotë vetë. Madje më tha: “Sandër, ule pak çmimin kur të hysh me këtë firmën që të kem mundësi të them që s’i kam bërë nder, se ta rris unë fondin, pasi e fiton.” Si me ARMO-n o burrë, që bëmë sikur e blemë shtrenjtë, po s’paguam asgjë, dhe me rrugët do bëjmë sikur do t’i bëjmë lirë, po do t’i marrim lekët më pas. Hë o burrë se duhet të bëjmë spektakël tani me rrugët, që mos të thonë e kishin për fushatë.

- E kuptoj, e kuptoj Sandër, po kemi këto kompanitë tona të rrugëve që kanë investuar, kanë miliona euro makina rrugësh, duhet t’u japim dhe atyre ndonjë punë.

- Ore, je në terezi ti? Pse, kur i dhatë Fahriut 120 milionë euro rrugë, kishte ndonjë zetor ai?! Madje as tani s’ka asnjë zetor. Po lekët i ka marrë.

- Po u bë ajo një herë Sandër, ishte Luli atëherë, s’e bëj dot më tani.

- Po ç’ke or ti, ta bëj prapë Lulin ministër po deshe, ja flas me doktorin pastaj, i them që ky Andi e do Lulin drejtor e ta bëj prapë. Po A.K.M.A.R. duhet t’i japësh gjithë tenderët pa diskutim. Se jam dhe me Fevziun këtu, se dëgjoi dhe kur fola me doktorin. I tha dhe ky madje, më mori telefonin, i tha: “Doktor, të jem unë si ty, tani gjithë rrugët ia jap ose “Bechtel” ose kësaj A.K.M.A.R., se këto i bëjnë shumë të mira rrugët. Këto firmat tona i bëjnë skandal.”

- Po mo Sandër, po i huaj quhet dhe Fahriu, po te mbikalimi i Tiranës mund të thyesh qafën sa herë kalon dhe akoma s’e kemi marrë në dorëzim. Tjetër “Bechtel”, tjetër kjo që do të bësh ti dhe Fahriu. “Bechtel” të paktën bleu kantiere dhe bëri punë. Ju printoni letra nga interneti dhe doni mbi njëqind milionë euro një dorë.

- Ore, e paske seriozisht që s’do të m’i japësh tenderët ti? Unë i q... r... më të mirit, pastaj hyj në tender, e ul gjysmë për gjysmë, as e çaj k... fare, dhe e fitoj. Pastaj i bëj një tel doktorit, ndryshojmë projektin dhe e rrisim fondin. Unë e kam të lehtë, po them ta bëj me ty, të ta di dhe ty për nder, që mos t’i them për çdo gjë doktorit. Ku e çaj k... për ata që kanë firma këtu unë. Ata legenat i vë në rresht kur të dua. As e rruj fare për ta. Ja sa të kthehem dhe flasim. Do t’i them dhe doktorit, të të thërrasim ndonjë ditë, se ke dhe këtë gjyqin nëpër këmbë. Se ky Luli do shpëtojë ore, po ndonjë nga ju të vegjlit do ta hajë, se tani pa gjë s’do dalë gjithë ai gjyq. Se thonë dhe këta të huajt, s’i ka mundësi që s’dënuat asnjë. Nejse, kur të vij në Tiranë, do të të thërras një ditë me doktorin, se ai ka pas respekt për ty, se më ka thënë disa herë. Nejse, shënoje njëherë emrin e firmës, A.K.M.A.R. quhet. Do vijë një djalë nga Kavaja, se atë kemi caktuar si sekser, se harrova, kaluam dhe planin e ndryshimit të parkut kombëtar të Dajtit, se do bëjmë ca vila dhe aty, mund ta shikosh si variant, t’i shpjegon ky çuni po deshe dhe flasim. Hajt se je djalë i mirë ti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›