Pjesë identikeNga Besar LikmetaKryeministri, Sali Berisha, dhe paraardhësi i tij, Ilir Meta, nuk kanë qenë dhe aq të sjellshëm me njëri-tjetrin për vite me radhë. Në një skenë politike, ku ndeshja bëhet pa doreza boksi, ata kanë akuzuar njëri-tjetr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pjesë identikeNga Besar LikmetaKryeministri, Sali Berisha, dhe paraardhësi i tij, Ilir Meta, nuk kanë qenë dhe aq të sjellshëm me njëri-tjetrin për vite me radhë.
Në një skenë politike, ku ndeshja bëhet pa doreza boksi, ata kanë akuzuar njëri-tjetrin për gjithçka, që nga lidhjet me krimin e organizuar e korrupsionin e madje dhe për tentativë të grushtit të shtetit.
Por, kur koalicioni i djathtë, i udhëhequr nga Partia Demokratike e Berishës, nuk arriti që të fitojë mjaftueshëm vende në parlament për të formuar qeverinë e re, ai i bëri thirrje ish-rivalit të hyjë në kabinetin e tij. Meta, kryetar i LSI, një grup i shkëputur nga PS, pranoi, duke nxitur kritika dhe akuza për tradhti nga të majtët. Pavarësisht nga retorika e ashpër që ndan shpesh palët shqiptare, pak vetë u habitën nga lëvizja e ish-kryeministrit socialist.
Analistët e kanë vërejtur prej kohësh zbutjen e dallimeve ideologjike mes partive politike, duke theksuar se forca nxitëse e partive janë interesat ekonomike dhe filozoftë politike.
Vota e ngushtë
Pas një radhë zgjedhjesh të manipuluara, Shqipëria shpresoi të paraqiste një imazh të ri ndaj botës dhe veçanërisht Brukselit më 28 gusht, me qëllim që rritë shanset e anëtarësimit në BE.
Në zgjedhje morën pjesë rreth 49 për qind e popullsisë 3.1 milionëshe të Shqipërisë. Dy garuesit kryesorë, Berisha dhe kryetari i PS dhe bashkisë së Tiranës, Edi Rama, organizuan fushata të modeluara sipas fushatës së Barack Obamës në SHBA, me premtimin për ndryshim.
Koalicioni i djathtë i kryesuar nga PD fitoi 70 vende, pak më tepër se socialistët që fituan 66 dhe LSI 4. Megjithëse në këto zgjedhje nuk pati akte dhune si në zgjedhjet më të hershme, një raport paraprak i OSBE deklaroi se shkaku i vonesës në numërimin e votave ishte ndërhyrja politike dhe kritikoi procesin elektoral në një të tretën e qendrave të votimit.
Duke patur nevojë për 71 deputetë që të formojë qeverinë, Berisha i shtriu dorën Metës dhe katër deputetëve të tij për të siguruar shumicën.
“Nuk ishte fitore e thellë, por ishte fitore, dhe, të mëdha apo të vogla, fitoret shkëlqejnë”, - tha Berisha, pas deklarimit të koalicionit të ri.
Njeriu i të varfërve
Berisha, përkrahës i fortë i sipërmarrjes së lirë që ka drejtuar një qeveri të djathtë, pro biznesit, ironikisht përkrahet nga zonat më të varfra të Shqipërisë. Mbi të gjitha, përkrahja e tij bëhet më e fuqishme në zonat e migrantëve që janë vendosur në rrethinat e Tiranës.
Një shembull është Kozeta Gjoshi, shtëpia e së cilës është e mbushur me postera të Berishës dhe Partisë Demokratike, si edhe me flamuj amerikanë dhe shqiptarë. Ajo u vendos në Kombinat në vitin 1995, ku jeton me të shoqin dhe tre fëmijë të vegjël, pasi u largua nga fshati i saj në Shqipërinë e Mesme për gjakmarrje.
“Ne votuam për PD se kryeministri na premtoi të na anëtarësojë në BE”, - tha nëna e papunë e tre fëmijëve. “Unë dëshiroj më të mirën për fëmijët e mi, shpresoj që të mos mbeten në këtë varfëri”, - shtoi Gjoshi.
Megjithëse zgjedhjet kanë një muaj që kanë mbaruar, posterat janë të vetmet sende zbukuruese në shtëpinë e saj - një ish-magazinë e shkatërruar që dikur ishte kombinati i tekstileve “Stalin”.
I ulur në hyrje të kompleksit - aty ku dikur qëndronte statuja e Stalinit, sikur monitoronte mijëra punëtorët shqiptarë që kalonin gjatë regjimit komunist - Viktori, fermer në pension, tha se votoi për PS, megjithëse pëlqente PD.
“Politikanët këtu nuk e vrasin mendjen për qytetarët”, - tha ai, ndërsa shpjegon kontradiktën e zgjedhjes së tij duke u ankuar për pensionin e ulët, që e shtyu të votonte majtas.
Një tjetër votues që kaloi nga një parti te partia kundërshtare është Altini, shofer taksie në Tiranë. “Në të shkuarën kam votuar për Berishën, por kësaj here votova për Ramën, megjithëse edhe ai nuk është kushedi çfarë”, - tha ai. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të zgjedhësh më pak të keqin mes tyre.”