E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Muajt e mjaltit" për median

"Muajt e mjaltit" i Goran Paskaljevicit, sot në Festivalin e Venecies projektohet për mediat.


Aktorët serbë e shqiptarë takohen për herë të parë në tapetin e kuq të premten.Ngjarje është shfaqja e një kopjeje të restauruar të filmit "Lufta e madhe", e Mario Monicellit.


Gjysmë shekulli më parë ndau "Luanin e Artë" me Rossellinin


Edicioni i 66-të i festivalit
të Filmit në Venecia, që nis sot (2-12shtator), mbahet këtë vit në një atmosferë të tendosur për spektaklin italian, pas protestave për uljen drastike të buxheteve për spektaklin. Megjithatë, programi deri tani rezulton të jetë nga më të mirët e viteve të fundit, i larmishëm, i pasur me ngjarje dhe personazhe. Nga filmat në konkurrim, për t'u përmendur janë


Fatih Akin me "Shpirti i kuzhinës", stilisti Tom Ford me "Një burrë I vetmuar", Werner Herzog me "Tenenti i keq: Thirrja e fundit New Orleans", Todd Solondz me "Jeta në kohë lufte", mjeshtri i horronit George Romero me "Mbijetesa e të vdekurit".


Italianë në garë janë çmimi Oscar Giuseppe Tornatore, me filmin "Baaria", Michele Placido me "Ëndrra e madhe", Giuseppe Capotondi me "La doppia ora" dhe Francesca Comencini "Hapësira e bardhë". Juria drejtohet nga regjisori i "Brokeback Mountain"
Ang Lee.


Jashtë konkursit janë filma si "Agjenti" i Steven Soderbergh, "Skuta" i Joe Dante-s; një tjetër horror "Rec 2" i Jaume Balaguerò dhe Paco Plaza, "Napoli Napoli Napoli" I Abel Ferrara-s; filmi dokumentar I Oliver Stone-t "Jugu i kufirit". Michael Moore vjen me "Kapitalizmi: një histori dashurie".


Aktorë të ftuar që si gjithmonë në festivale të Venecias kanë për mbajtur gjallë spektaklin mediatik, janë Colin Firth, Julianne Moore, Isabelle Huppert, Nicolas Cage dhe Eva Mendes (këta të dy protagonistë në filmin e Herzog-ut) Omar Sharif, Tilda Swinton.


Kurse George Clooney pritet si protagonist në filmin "Njeriu që vështron dhitë", me regji të Grant Heslov-it. Kurse aktorja siciliane Maria Grazia Cucinotta, e cila më 1994-ën pikërisht në Venecia, hyri në skenën e kinemasë italiane dhe ndërkombëtare me filmin "Il postino", ka pozuar që dje për fotografët.


Ajo është kumbara e festivalit për këtë vit, një status honorifik që çdo vit I jepet një artisti të caktuar. Por, ngjarja më e madhe që hap festivalin konsiderohet projeksioni i një kopjeje të restauruar të filmit "La grande gurra", i regjisorit Mario Monicelli, me producent Dino De Laurentis.


"Aromë dhe shije e Luftës së Parë Botërore", "Kinemaja në anën e të pambrojturve", janë disa nga titujt e komenteve për këtë film të Monicellit, i cili gjysmë shekulli më parë e ndau Luanin e Artë ex aequo me Rossellinin.


Është një film i shkëlqyer komik me një fund tragjik, me lojë shumë të mirë të aktorëve Alberto Sordi e Vittorio Gassman. Monicelli, sot 94-vjeçar, do të jetë i pranishëmnë projeksion. Seksionet e festivalit "Ditët e Venecias" dhe "Java e kritikës", këto vitet e fundit kanë vjedhur vëmendjen filmave në konkurrim, sepse ato synojnë të sjellin një kinema dhe autorë indipendente.


"Ditët e Venecias" paraqesin një dokumentar për Vittorio de Sican, po edhe kinema ndërkombëtarenga "Muajt e mjaltit" të Goran Paskaljevic-it, tek drama e filmit "Harragas", i algjerianit Merzak Allouache. Sipas drejtorit të festivalit, Marco Muller, asnjëherë si këtë vit nuk ka pasur kaq shumë vende pjesëmarrëse: "25 gjithsej. Dhe asnjëherë kaq shumë vepra të para dhe të dyta, respektivisht 16 dhe 9".


"Muajt e mjaltit" (Honeymoons) është një nga 18 premierat botërore që shfaqen në Festivalin e Venecias në kategorinë "Venice Days", ku prezantohen 12 filma artistikë dhe 6 dokumentarë nga 12 vende të botës, nga 3 deri më 12 shtator. Në këtë seksion janë "Barking Water" Sterlin Harjo, "Desert Flower" Sherry Horman, "Gordos" Daniel Sanchez-Arevalo etj.


Në rolet kryesore intepretojnë Nebojsa Milovanovic (Marko) Jelena Trkulja (Vera) Jozef Shiroka (Niku) Mirela Naska (Majlinda) Bujar Lako (Rroku) Yllka Mujo (Vevo), Lazar Ristovski etj. Bashkëskenaristi shqiptar, Genc Përmeti, pohoi se filmi do të ketë sot një projeksion për mediat, kurse premierën në fundjavë.


Regjisori i trilogjisë serbe "Fuçi baruti", "Ëndrra e një nate dimri" dhe "Optimisti", ndërsa tregonte historinë e realizimit të të parit bashkëprodhim shqiptaro-serb, pohoi se "aktorët serbë dhe ata shqiptarë nuk u takuan kurrë me njëri-tjetrin, edhe pse kanë aktruar në të njëjtin film.


Takimi i tyre i parë do të jetë në Festivalin e Venecias." Të premten trupat nga të dy palët do të jenë në Venecia."Muajt e mjaltit" është një prodhim me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare Kinematografike (Shqipëri), të Ministrisë së Kulturës së Serbisë dhe të Pulia Film Commission (Itali), me buxhet 1 milion e 400 mijë euro Menjëherë pas Venecias, filmi merr pjesë si një nga tetë filmat e programit "Mjeshtrat", në Festivalin Ndërkombëtar të Torontos, Kanada, 10-19 shtator.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›