Berisha-Meta, pakt për lokalet e zgjedhjen e Presidentit të ri
Marrëveshja mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Meta, parashikon konsensusin për emërime të rëndësishme në institucionet kushtetuese, apo institucione të tjera, që varen nga Kuvendi
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, do të dalin bashkë edhe në zgjedhjet vendore të radhës. Për të siguruar se qeveria e re do të jetë solide dhe afatgjatë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim parashikojnë zbatimin e marrëveshjes, për zgjedhjet vendore të 2011-ës.
"Koalicioni i Qeverisë për Integrimin Europian, si një aleancë afatgjatë, do të hyjë bashkë në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011. Për zgjedhjet e pushtetit vendor në vitin 2011, do të realizohet një marrëveshje e veçantë",- thuhet në marrëveshjen e nënshkruar dje mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta.
Krerët e dy partive janë angazhuar dje që me konsensus të realizojnë edhe zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, pas tre vitesh. Berisha do të duhet të marrë konsensusin e Metës edhe për vendime të rëndësishme, siç është edhe ajo e emërimeve në institucionet kushtetuese, apo institucione të tjera, që varen nga Kuvendi.
Për këtë arsye, PD-ja dhe LSI-ja bien dakord që për krijimin e kohezionit të qëndrimeve politike të rëndësishme të qeverisë dhe Parlamentit, të realizohet konsultimi dhe koordinimi i këtyre qëndrimeve midis kryetarëve të partive apo personave të caktuar prej tyre.
Për probleme të veçanta gjatë qeverisjes, sipas marrëveshjes, zgjidhja duhet të jetë produkt konsensusi mes kryetarëve të PD-së dhe LSI-së. Nënshkruesit e marrëveshjes janë kujdesur të kujtojnë se çdo ndryshim në këtë marrëveshje duhet të bëhet me konsensus dhe, si rrjedhojë, duke pasur nga një amendament me shkrim të firmosur nga kryetarët e PD-së dhe LSI-së.
Kryetarët mund të autorizojnë nga një përfaqësues të tyre për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në të gjithë nivelet e qeverisjes, si dhe përditësimin e saj, sipas zhvillimeve qeverisëse. Sipas marrëveshjes, synimi i Qeverisë së Integrimit Europian lidhet me hartimin e një programi të përbashkët qeverisës për vitet 2009-2013, për të realizuar objektivat e përbashkëta, që kanë të bëjnë me: Përshpejtimin procesit të integrimit të vendit në BE, duke realizuar të gjitha reformat e duhura; Reformimin e Kodit Zgjedhor me qëllim eliminimin e çdo diskriminimi, që cenon barazinë e konkurrimit politik; Pavarësinë e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet; Realizimin e politikave nxitëse fiskale dhe ekonomike për të garantuar mbi 160 mijë vende të reja pune; Krijimin e hapësirave më të mëdha për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në fokus rritjen e prodhimit dhe punësimit, si dhe forcimi i rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, me fokus interesat kombëtare, integrimin, sigurinë dhe paqen