Në pranga i dyshuari për tentativë vrasjeje
Policia arreston Alkan Markajn pasi akuzohet për plagosjen e një 20-vjeçari në kryeqytet. Në pranga edhe strehuesi
TIRANË- Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë së kryeqytetit, ku njëri prej tyre ishte shpallur në kërkim për akuzën e "vrasjes me dashje" e mbetur në tentativë. Alkan Markaj, 21 vjeç, banues në Tiranë është arrestuar nga blutë e Komisariatit nr. 6 si autori i dyshuar i plagosjes së një 20-vjeçari me inicialet D.S., ngjarje kjo e ndodhur në muajin gusht të këtij viti.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, 21- vjeçari Markaj, i cili ka qenë i dënuar më parë për plagosje dhe kanosje, dyshohet se më datë 9 gusht 2009, ka goditur me thikë 20- vjeçarin e lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Pas plagosjes së 20- vjeçarit, Markaj ka mundur t'i shpëtojë arrestimit të policisë dhe ndaj tij Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar një urdhër për ndalimin e tij.
Lidhur me këtë ngjarje, blutë e Komisariatit nr. 6 arrestuan në flagrancë dhe Selim Ramën, 21 vjeç, banues në Yzberisht, i cili dyshohet të këtë strehuar në banesën e tij, Alkan Markajn,pas plagosjes së të riut nga Elbasani. Alkan Markaj akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë", ndërsa ndaj të arrestuarit të dytë rëndon akuza e "përkrahjes së autorit të krimit".