E Diel, 1 Nëntor 2026

Muamba festoi ditëlindjen, gati të dalë nga spitali

Nuk ishte një ditëlindje e zakonshme për mesfushorin e Boltonit, Fabrice Muamba. Futbollisti kongolez, i cili tashmë tri javë gjendet në spital duke u trajtuar pas sulmit në zemër që pësoi në fushë gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit në FA Cup, të premten festoi ditëlindjen e tij të 24-t.

Një ditë e veçantë, sidomos për shkak të përmirësimit të konsiderueshëm të gjendjes së tij shëndetësore nga ajo mbrëmje e tmerrshme e 17 marsit. Vetëm disa ditë më parë, menaxheri i Boltonit, Owen Coyle, bëri të ditur se Muamba ka filluar të ecë dhe shprehu gatishmërinë e tij të rikuperohet plotësisht sa më parë që është e mundur.

Kurse, një javë më parë, Muamba postoi një fotografi në rrjetin social Twitter, ku dukej i buzëqeshur dhe shtoi shpresën për shërimin e tij të plotë.

Kurse e përditshmja britanike Daily Mail ka njoftuar se javën e ardhshme Muamba pritet të dalë nga spitali. Një epilog që të gjithë e presin me padurim, frika e madhe duket se është tejkaluar përfundimisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›