Fëmijët, cfarë sjell dhuna e përdorur në shkollë
Në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm, janë bërë shumë studime mbi dhunën. Në intervistimet e shumta, nxënësit e shikojnë dhunën si formë edukimi, madje edhe në familje. Përdorimi i dhunës nuk ndjehet as kur ajo shtrihej përtej kufijve të familjes, në shkollë, as kur vjen nga vetë nxënësit mbi nxënësit. Sipas psikologëve, ajo që rezulton është se dhuna në shkollë merr trajta e forma nga më të ndryshmet, buron nga të gjithë anëtarët e shkollës, konturet e saj janë gjithëpërfshirëse, horizontale dhe vertikale.
Qëndrimet
Bashkë me paqartësinë mbi dhunën, është e lehtë të evidentohen edhe qëndrimet ndaj saj. Janë në fakt qëndrime shumë të çuditshme! Dhe jo vetëm ndaj dhunës “moderne”, asaj psikologjike e emocionale, po edhe ndaj dhunës “tradicionale”, asaj të së shkuarës, të shëmtuarës, dhunës fizike! Disa herë përsëritet që “druri ka dalë nga xheneti!”, apo “kush të rreh të do!”. Një formë e veçantë dhune që vihet re është kërcënimi me anë të notës. Nxënësit dhe mësuesit nuk mohojnë përdorimin e notës negative për nxënësit e zhurmshëm. Nota ndonjëherë nuk ka lidhje me përgatitjen në lëndën përkatëse, por me nevojën për të vendosur mësuesja/i pushtetin e saj/tij. Natyrisht, që sjellja e dhunshme ndaj të tjerëve e ka një gjenezë. Ajo daton në vitet e hershme të fëmijërisë. E ajo është aq tinëzare saqë ndërhyn në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, duke u kthyer në pjesë normale të reagimeve në të përditshmen e tij/saj. Dhuna, në trajta të kamufluara gjendet në mënyrën e dhënies së urdhrit, ushtrimin e kërkesës për rezultate, ndonjëherë edhe në mënyrën e dhënies së dashurisë nga ana e prindërve.
Dhuna
Dhuna përcillet në mënyrë të rregullt nga mediat, filmat dhe librat për fëmijë e të rritur. Dhuna gjen shteg për të shpërthyer në ambientet e klasave me shumë nxënës, me origjina, kultura dhe temperamente të ndryshme. Dhuna e përdorur, pavarësisht formave të saj atavike apo të moderuara, shkakton tek fëmijët probleme lidhur me: vetëvlerësimin, marrëdhëniet ndërpersonale, vetizolimin, mungesën e besimit, çrregullimet në të mësuar, krijimin e marrëdhënieve problematike me të tjerët, sjelljet të keqpërshtatura të inatit dhe zemërimit, paaftësinë për t’u dhënë fjalë emocioneve dhe mendimeve. Shenjat e sipërpërmendura mund të mos gjenden të gjitha tek një fëmijë, por disa prej tyre mund të jenë shumë të shprehura. Dhuna e përditësuar është fenomen i vështirë për t’u eliminuar. Në fakt, si për ironi, shpesh hidhen ide se për parandalimin e dhunës duhej të aktivizoheshin instrumente ndëshkuese për ata që përdorin dhunë në shkollë, pavarësisht statusit të tyre. I dhunuari dhunon, dhunuesi të dhunohet! Ndoshta nuk është koha për filozofime mbi dhunën, sesa vërtet për të identifikuar mjete e mënyra të ndalimit të saj në shkollë, në vendin ku prodhohen qytetarët e së nesërmes. Edukimi qytetar duket se duhet të fitojë një tjetër betejë të vështirë atë me dhunën tinëzare.
Problemet që sjell dhuna e përdoru në shkollë tek fëmijët
Vetëvlerësimi
Marrëdhëniet ndërpersonale
Vetizolimi
Mungesën e besimit
Çrregullimet në të nxënë
Krijimin e marrëdhënieve problematike me të tjerët
Sjelljet të keqpërshtatura të inatit dhe zemërimit
Paaftësinë për t’u dhënë fjalë emocioneve dhe mendimeve
12 sugjerime për mësuesit dhe ne të tjerët
Dhuna fillon në mendjet e njerëzve. Shkolla duhet të edukojë individë që ideojnë “mbrojtjen e paqes” në mendjet e tyre. Në shkollën tonë duhet të ketë më shumë programe e tema mësimi kundër dhunës.
Të aftësohen nxënësit e mësuesit për zgjidhjen paqësore të konflikteve, për rritjen e përsosjen e aftësive komunikuese midis palëve, për demokratizimin e marrëdhënieve.
Mësuesit të kenë një qëndrim model për nxënësit e tyre në zhvillimin e sjelljeve e të zakoneve jo të dhunshme.
Rritja e shërbimeve këshillimore psikologjike, sociale e pedagogjike në shkollë.
Të organizohen konferenca me karakter edukativ mbi dhunën.
Forcimi i disiplinës, zbatimi i rregullores. Ndëshkime të ashpra për nxënësit e dhunshëm dhe për mësuesit që përdorin dhunën.
Projekte të përbashkëta shkollë-familje-shoqëri me temë: “Edukimi dhe toleranca”, “Të njohim e të zbatojmë Konventat e të Drejtave të Fëmijëve”.
Të ngrihet shkolla e riedukimit dhe të rritet bashkëpunimi komunitet-polici.
Shkolla t’u afrojë prindërve programe konkrete e të specializuara, me nivel të lartë se si mund të rriten e edukohen fëmijë jo të dhunshëm. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet dhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet që, këta fëmijë (të vegjël sot), edhe kur të rriten e të martohen, do të imitojnë sjellje të dhunshme të prindërve, me përjashtim të rasteve kur kanë kërkuar ndihmë të specializuar për të ndryshuar sjelljet e tyre. Fëmijët e mësojnë këtë ves (dhunën) në familje dhe e përdorin për të siguruar atë që dëshirojnë. Ndëshkimi i prindërve që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre.
Programe për fëmijët e rrugës, veprimtari që u interesojnë fëmijëve, çlodhëse dhe argëtuese.
Dhënia e hapësirës së domosdoshme për çdo fëmijë.
Inkurajimi dhe stimulimi i grupeve të ndryshme të fëmijëve që nuk e përdorin dhunën.
Ndryshime në legjislacion, në rregulloren e shkollës, në kodin penal, civil dhe familjar, veçanërisht ligji për mediat, që lidhet me filmat me dhunë e vrasje, të cilët jepen në çdo kohë.
Vargjet sintezë të Nolte janë tepër domethënëse
“Fëmijët mësojnë atë që jetojnë”
Nëse një fëmijë jeton në kritikë, mëson të dënojë.
Nëse një fëmijë jeton në urrejtje, mëson të luftojë.
Nëse një fëmijë jeton në ironi, mëson të jetë i ndrojtur.
Nëse një fëmijë jeton në turp, mëson të ndihet fajtor.
Nëse një fëmijë jeton në tolerancë, mëson të jetë i durueshëm.
Nëse një fëmijë jeton në inkurajim, mëson të ketë besim.
Nëse një fëmijë jeton në lavdërim, mëson të vlerësojë.
Nëse një fëmijë jeton në çiltërsi, mëson drejtësinë.
Nëse një fëmijë jeton në siguri, mëson të ketë besnikëri.
Nëse një fëmijë jeton në pranim dhe në miqësi, mëson të gjejë dashurinë në botë.
3 Tetor 2009