Partizani, kundër Bylisit edhe për Panon

(ALBANIA SPORT) – Partizani do të luajë kundër Bylisit me shirit të zi në krah, në shenjë respekti për legjendën e kuqe, të Kombëtares dhe futbollit shqiptar, Panajot Pano, të ndarë nga jeta, më 19 janar 2010, pas një ataku kardiak në Shtetet e Bashkuara.
Për Partizanin (22 pikë), ndeshja kundër kryesuesve të Kategorisë së Parë, Bylisit (40 pikë), është edhe ndeshja e parë e vitit 2010, pasi ajo kundër Bilishti Sport (java 16) nuk u zhvillua në Bilisht për shkak të kushteve të papërshtatshme të terrenit.
Në fazën e parë, Bylisi fitoi 1-0 në Ballsh, në një ndeshje të kontestuar nga të kuqtë për gjykimin skandaloz.
Partizani zhvilloi një merkato të fuqishme duke rekrutuar 13 lojtarë, shumica e tyre të ardhur nga klubet e Kategorisë Superiore, dhe ndeshja e dytë sezonale kundër formacionit të Ilir Spahiut (një ish-trajneri i Partizanit) konsiderohet edhe si një provë force për “djemtë” e Skerdi Bejzades.
Lajmi i fundit i mirë nga shtëpia e kuqve është premtimi për marrjen e pagave, pikërisht përpara takimit me Bylisin. Partizani do të luajë me fanella të reja kundër Bylisit, ndërkohë që një natën e së premtes do ta kalojë në Durrës.
Burimi: Albania-sport.comE Premte, 05 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili