Muça teston shumëkombëshit në kërkim të një sulmuesi me peshë
Pasi bënë të pamundurën të mundur për të shpëtuar Skënderbeun nga rënia në Kategorinë e Parë në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, tashmë donatorët e “ujqërve të dëborës” kanë hapur thesin dhe po kërkojnë lojtarët më cilësorë në qarkullim për të përmbushur ambicien e tyre të madhe: fitimin e titullit kampion në sezonin që pritet të startojë më 21 gusht. “Blerja” më e bujshme ishte ajo e Shkëlqim Muçës, trajnerit kampion të edicionit të fundit, i cili njihet për punën e tij prej profesionisti dhe për mentalitet fitues. Më pas ai u pasua nga përforcimi i ekipit me disa emra të njohur të Kategorisë Superiore. Deri tani duket se asgjë nuk e ndal vrullin e këtij Skënderbeu në merkato. Por asgjë nuk ka mbaruar ende. Ekipi akoma nuk është kompletuar. Kjo i mban korçarët në merkato, ku përveç disa piketave shqiptare, kanë në listën e tyre disa futbollistë të huaj. Objektivi kryesor është konsolidimi i repartit ofensiv. Kroati Guerrib ka braktisur skuadrën në fund të sezonit të kaluar. Në ekip është sulmuesi maqedonas Aksenti, i cili ka bërë paraqitje të mirë në këtë periudhë përgatitore të Skënderbeut. Megjithatë kërkohet një sulmues me peshë. I synuari është Fatjon Sefa i Dinamos, por mbërritja e tij ende nuk është e garantuar. Skuadra e ardhshme e Muçës pritet të luajë me vendosjen taktike 4-3-3. Në ditët e ardhshme pritet të formalizohet nënshkrimi i kontratës me Sefën. Ndërkohë që testimet e shumë futbollistëve të huaj nuk kanë fund te Skënderbeu. Shumë prej tyre, pas testimit janë larguar, pasi nuk është parë e arsyeshme se mund të gjenin vend në planet e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Por tregu i huaj duket se i josh korçarët. Prandaj gjatë kësaj jave pritet të testohen edhe 5 futbollistë të huaj. Mësohet se pritet të vijnë një argjentinas, një portugez, një serb dhe dy lojtarë kroatë. Klubi synon të gjejë mes tyre ndonjë element më efikas se ata të Superiores.
#