Muharrem Ajeti, zv/drejtor i AKI-së

Edhe pse nuk janë sqaruar tërësisht arsyet e dorëheqjes së Latif Merovcit nga posti i zv/drejtorit të AKI-së, në këtë pozitë tashmë është emëruar një tjetër person. Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka bërë të ditur për "Tribunën" se presidentja Atifete Jahjaga në bashkërendim me kryeministrin Hashim Thaçi, duke u bazuar në Kushtetutë, dhe brenda afatit të përcaktuar ligjor, kanë emëruar Muharrem Ajetin zv/drejtor të ri të AKI-së.
Vendimi i presidentes dhe kryeministrit është bazuar në paragrafin 6.3 të ligjin për AKI-në, ku theksohet se presidentja dhe kryeministri në një afat prej 20 ditësh duhet ta emërojnë zv/drejtorin e AKI-së nga dita kur ky post mbetet i lirë. Për zv/drejtorin e ri nuk janë dhënë shumë detaje, por gazeta ka mësuar se ai është zgjedhur nga strukturat e brendshme të inteligjencës.
Problemet e fundit me pjesëtarët e agjencisë, por edhe dorëheqja e zv/drejtorit Latif Merovci, kanë shkaktuar polemika të mëdha rreth besueshmërisë së institucionit që e udhëheqë Bashkim Smakaj. Pikërisht ky i fundit ishte përmendur si njëra nga arsyet pse Merovci ishte larguar nga ky institucion.
Në pjesën e parë të muajit mars, ai u kishte dërguar nga një letër presidentes dhe kryeministrit duke i informuar mbi arsyet e dorëheqjes. Në letrën e cila më vonë u bë publike në media, Merovci ka folur edhe për parregullsitë tjera brenda AKI-së. Si parregullsi ai ka përmendur përzgjedhjen e stafit dhe çështjet e prokurimit publik./Indeksonline/