Vetura e re që “kalbet” para Komunës!

Kuvendi Komunal i Mitrovicës i ka blerë kryesuesit të këtij institucioni, Rrustem Musa, veturë në vlerë prej njëzeteshtatë mijë euro, pavarësisht se kryesuesi nuk ka fare nevojë për veturë. Xhipi i tipit “Opel Insignia” që është paguar nga buxheti i komunës për zyrtarin komunal, ka mbetur “shkret”, ngase Musa nuk ka punë në terren, dhe gjithashtu puna e tij ka të bëjë vetëm me udhëheqjen e seancave të Kuvendit Komunal, të cilat mbahen një herë në muaj, përkatësisht dymbëdhjetë herë në vit.
Duke vepruar në këtë formë, drejtuesit e qytetit më të varfër të Kosovës, janë shndërruar në rast “sui generis”, ngase kryesuesit e asnjë kuvendi komunal të komunave tjera nuk kanë vetura personale, dhe as që kanë blerë vetura të reja.
Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, tha se kryesuesi i Komunës së Prishtinës, Sami Hamiti, as nuk ka veturë e as shofer personal. Ai nëse ka nevojë e shfrytëzon ndonjërën nga veturat e Komunës, cila është e lirë, por nuk e ka të specifikuar apo të caktuar cilën.
Sipas tij, kryesuesi i Kuvendit të shumtën e herave e ka veturën e vet, sepse është e caktuar me ligj, që ai vjen në komunë vetëm atëherë kur ka seanca plenare. Prandaj, sipas tij, me rregullore, vetëm kryetari dhe nënkryetari kanë vetura zyrtare dhe shoferë të caktuar nga komuna. Ndërsa është vetëm kryetari i Komunës ai që e ka veturën 24 orë në shfrytëzim, ndërsa nënkryetari e shfrytëzon vetëm për nevoja komunale.
Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Suharekës, Vesel Maliqaj, nuk ka veturë zyrtare. Kryetari i kësaj komune i ka thënë “Zërit” se kryesuesi Maliqaj kur të ketë nevojë e merr në shfrytëzim ndonjë nga veturat e Kuvendit Komunal, por assesi nuk ka veturë për vete./Indeksonline/