Festa e bashkimit të Gjermanisë, Berisha, letër Merkel-it
Kryeministri Sali Berisha i dërgoi një letër urimi Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e Festës Kombëtare të 3 tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë. Në këtë letër, Berisha shkruan se kjo datë shënon triumfin e lirisë dhe demokracisë. “Ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990 shënon triumfin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut në mbarë Evropën, shënon një hap vendimtar për ribashkimin e popujve dhe kombeve evropiane, të cilët së bashku po konsolidojnë tashmë projektin më madhështor të një Evrope të vetme, të bashkuar në paqe e liri. Por unë gjej rastin t’ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta e miqësore dhe ato të qeverisë shqiptare edhe me rastin e 60-vjetorit të miratimit të Ligjit Themelor të Gjermanisë moderne të pasluftës, i cili ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm si pikë kyçe referimi për garantimin demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive e të drejtave të njeriut, si edhe 20 vjetorin e rënies se Murit të Berlinit, simbolit më përfaqësues të paranojës komuniste të perdes së hekurt”, - shkruan Kryeministri në letrën e tij. Ndërkaq Berisha shprehet se qeveria e tij mbetet e gatshme të konsolidojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai ftoi kancelaren gjermane të vizitojë Shqipërinë.