E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: Bashkimi i dy partive çame, i domosdoshëm

Intervista
Kreu i PDI-së sqaron formulën: Të dorëhiqemi unë dhe Idrizi, më pas votim në anëtarësi

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, deklaron se së shpejti do të nisin negociatat mes partisë që ai drejton dhe Partisë për Drejtësi dhe Unitet, për bashkimin në një grupim të vetëm. Në një intervistë për “Shqip”, Muhedini jep edhe kushtet e tij për ndërmarrjen e një hapi të tillë.
Pas një shtrëngimi duarsh mes jush dhe kryetarit të PDU-së, Shpëtim Idrizi, në përvjetorin e shoqatës “çamëria”, mund të flitet se ka ardhur momenti për një bashkim mes partive tuaja?
Unë mendoj se PDI është një parti “mëmë”, e cila ka dalë nga shoqata “çamëria”. Ka dalë nga komuniteti çam dhe mbasi është bërë aprovimi i tyre kudo ku kanë qenë, pas një viti është krijuar PDI. Kjo parti është formuar në vitin 2005 dhe për një kohë të shkurtër, 4-5 vjet, ka bërë sensibilizimin e çështjes çame. Por nga ana tjetër, PDI nuk është një parti e cila mbron çështjen çame, por është një parti kombëtare shqiptare. Përgjatë kësaj kohe kemi bërë sensibilizimin për këtë çështje, kemi treguar vlerat e komunitetit çam, si ato historike dhe kulturore. Nga ana tjetër kemi bërë edhe ndërkombëtarizimin e çështjes. PDI për herë të parë e çoi këtë çështje në Parlamentin Europian, po kështu, një vit më parë arritëm ta paraqisnim këtë çështje edhe në Këshillin e Europës. Në 9 dhjetor të 2009-ës, PDI çoi në Departamentin amerikan të Shtetit, dosjen e çështjes çame. Për sa i përket krijimit të PDU-së, kushdo që e dëgjon, e konsideron si shkatërrim të çështjes çame si në aspektin kombëtar, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Nisur nga kjo, nuk ka kuptim që për një çështje të ngrihen dy parti. Por unë u bëj thirrje përfaqësuesve të PDU-së, që duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë që kjo lëvizje është për të përçarë komunitetin çam dhe për t’i ndarë përfaqësuesit e këtij komuniteti në të majtë dhe në të djathtë, në një moment kur kjo çështje nuk ka nevojë për shumë ideologji. I kam dëgjuar me kënaqësi thirrjet që ka bërë Idrizi në Vlorë, Delvinë dhe Tiranë për bashkim, por vetëm këto deklarata nuk mjaftojnë. Sepse në një kohë kur Idrizi bën thirrje për bashkim, dikush tjetër nga PDU nxjerr me forcë anëtarët e PDI-së nga selia e tyre në Vlorë. Por ne nuk duhet të kalojmë në debate derisa kemi vullnetin e mirë për bashkim. E udhës është të bashkohemi konkretisht në mënyrë institucionale dhe jo në kafene. Ne duhet të bashkojmë vlerat dhe duhet të jetë vetë elektorati ai që do vendosë se kush mund ta drejtojë partinë. Bashkimi është i domosdoshëm dhe këtë më shumë se të gjithë e kërkon vetë komuniteti çam, dhe jo një “show”.
Cili është kushti juaj konkret për bashkimin, si kryetari i një partie e cila është themeluar më herët?
Mendoj se kjo çështje do të zgjidhej nëse unë dhe Idrizi do të jepnim dorëheqjen, sepse askush nuk mund ta marrë me “tapi” një parti. Më konkretisht, në fillim të javës tjetër unë do të marr iniciativën për t’i bërë thirrje Idrizit për bisedime, bashkë me negociatorë. Le të japim dorëheqjen nga partitë dhe të jetë elektorati ynë ai që të vendosë se kush do ta drejtojë partinë e përbashkët. Ne nuk duhet të kalojmë në një forcë politike ideologjike, t’i ndajmë çamët në të majtë apo të djathtë, por duhet t’i bashkojmë ata dhe shqiptarët e tjerë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Si i gjykoni deklaratat e fundit të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, se çështja çame është një çështje fantazmë?
Kam pesë vjet që i jap përgjigje Dules në lidhje me këtë çështje. Me këto deklarata ai tregon edhe njëherë se është një shërbëtor i keq i çështjes kombëtare shqiptare dhe i shërben çështjes antikombëtare shqiptare. Politika e tij nuk kërkon afrimin midis dy shteteve, siç bën PDI, por kërkon që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë sa më të largëta. Bashkëpunëtori më i ngushtë i Dules, Vasil Bollano, kërkon ende Vorio-Epirin dhe kjo tregon realisht se çfarë politike mbështet edhe vetë Dule. PBDNJ është vetëm një fasadë. Por dua t’i kujtoj Dules se duhet të marrë shembull nga ata qytetarë grekë të moderuar që e quajtën çështjen çame një çështje reale, e cila kërkon domosdoshmërish një zgjidhje.
Ndonëse PDI është një parti e koalicionit të djathtë, ende mes jush dhe kryetarit të PD-së, Berisha, nuk kanë nisur negociatat për përfaqësimin në qeverisje. Pse ka ndodhur kjo?
Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me PD-në përpara zgjedhjeve për bashkëpunim mes dy forcave përgjatë dhe pas zgjedhjeve. Më vjen keq ta them se krijimi i PDU-së e dëmtoi këtë marrëveshje. Mund të them madje se kjo forcë politike u krijua për të marrë këto poste, duke menduar se tashmë që kemi marrë dy deputetë, mund ta sulmojmë PDI-në. Por ne jemi një parti parlamentare, që kemi votat tona dhe këta dy deputetë nuk duhet të harrojnë se nuk janë të pavarur, por njëri ka dalë nga PS-ja dhe tjetri nga PDI-ja. Pra kjo parti është shkaktare për vonimin dhe moszbatimin e marrëveshjes mes PDI-së dhe PD-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›