Shëndetësia, gati drafti postpërmbytje
Situata e emergjencës, ministrat Vasili e Ksera diskutime në Komisionin e Shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe ministri i Punës, Spiro Ksera, kanë raportuar dje para Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë në lidhje me situatën e fundit epidemiologjike në zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës. Sipas Vasilit, situata epidemiologjike në këto zona është nën kontroll. Deri tani janë kryer mbi 900 ekzaminime të ujit të pijshëm dhe vazhdon monitorimi i mëtejshëm i situatës. Në përputhje me orientimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur edhe një plan konkret, “Për shëndetësimin higjieno-sanitar të zonave të prekura”. Ky plan është miratuar nga Komiteti Ndërministror për Emergjencën dhe mbi bazën e tij po operohet në të gjithë rajonin e Shkodrës.
Sipas ministrit Vasili, pesë kanë qenë pikat kyçe të punës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të saj vartëse.
Sipas raportimeve të kryera dje në komision, Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat për të bërë të mundur përballimin e emergjencës shëndetësore të krijuar.
Në fokus të punës së këtij dikasteri ka qenë mbrojtja e shëndetit të personave të evakuuar nga shtëpitë e tyre në qendra grumbullimi dhe kujdesi për personat në zonat e izoluara nga përmbytjet. Vëmendje dhe ndjekje e kujdesshme i është kushtuar situatës epidemiologjike për të parandaluar përhapjen e infeksioneve në popullatë në të gjithë zonën.
Ndërkaq, ministri i Punës, Spiro Ksera, ka deklaruar se në zonë po vijon shpërndarja e ndihmave shtetërore, shteteve fqinje, të subjekteve private dhe OJF-ve të ndryshme. Ksera premtoi përfshirjen e familjeve të përmbytura në skemën e ndihmës ekonomike. Sipas informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet e ditur se gjatë ditëve të përmbytjes mbi 370 bluza të bardha në vendngjarje kanë realizuar mbi 7 mijë vizita mjekësore, nga të cilat nuk ka rezultuar asnjë rast me komplikacione.
Gjithashtu është bërë e mundur në çdo moment transporti i urgjencave mjekësore me ndihmën e mjeteve të ushtrisë dhe policisë, ku ka pasur disa raste që janë shoqëruar në spitalin rajonal në Shkodër dhe një rast është transportuar në QSUT. Shëndeti Publik, si shtylla kryesore në situata të tilla, ka pasur kujdes të veçantë nga të gjitha strukturat përgjegjëse. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat që në momentet e para, duke lënë porosi të veçanta për “ujin e pijshëm dhe ujësjellësit e zonës”. Janë kryer mbi 900 analiza për monitorimin e ujit të pijshëm.
#