E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rilindja e kullave vijon turneun

Skulptura
Helidon Xhixha ekspozon në Bergamo veprën kushtuar 11 shtatorit

Monumenti i titulluar "Renaissance of Towers", vepër e realizuar prej skulptorit shqiptar Helidon Xhixha, është ekspozuar në Bergamo të Italisë në oborrin e Palazzo della Provincia. Vepra është realizuar në homazh të viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të qëndrojë e ekspozuar deri më 28 janar me mbështetjen e bashkisë së qytetit, si edhe në bashkëpunim me Mazzoleni Art Gallery. Iniciativa është pjesë e turneut "I lehtë si çeliku”, ku kjo vepër është ekspozuar në qytete të ndryshme të artit dhe që do të përfundojë pikërisht në sheshin Ground Zero në Nju Jork, vendin ku edhe ndodhi atentati terrorist. Në këtë veprimtari të ndërmarrë prej skulptorit shqiptar Helidon Xhixha, morën pjesë edhe kryetari i bashkisë, Ettore Pirovano, si edhe disa personalitete të artit dhe përfaqësues të pushtetit në Bergamo. Helidon Xhixha ka lindur në Durrës në vitin 1970. I rritur në studion e të atit, Sali Xhixha ai trashëgon prej tij pasionin për artet e bukura e sidomos pasionin për skulpturën. Ndërsa priste të frekuentonte Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë ai vendos të transferohet në Itali. Në vitin 1998, falë një burse studimi i jepet mundësia të ndjekë për tre muaj Universitetin Kingston të Londrës dhe të përmirësojë në këtë mënyrë teknikat në skulpturë e fotografi. Në vitin 1999, diplomohet në “Brera”, akademia e Arteve të Bukura të Milanos. I njohur për stilin e tij, Xhixha vlerësohet për risitë dhe eksperimentimet e vazhdueshme në skulpturë. Punët e tij kanë një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të artit, në vende si Amerika, Dubai, Gjermania, Franca, Austria, Anglia etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›