E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet e Enverit për agjentin që hiqej kryetari i komunistëve të Holandës

 

afrim imaj

Ka vizituar Shqipërinë mbi 20 herë në harkun e 10 viteve për t’u takuar me krerët e lartë të politikës dhe është larguar i qetë drejt Amsterdamit. Chris Petersen lideri i Partisë Komuniste të Holandës, gjendej mysafir në Tiranë me mision të dyfishtë dhe nuk u zbulua asnjëherë. Madje, autoritetet nuk i mësuan kurrë as emrin e vërtetë Peter Boevé, pavarësisht se me të identifikohej në të gjitha dokumentet zyrtare. Ai ushtroi për një dekadë agjentin e shërbimeve perëndimore me tagrin e kryetarit të Partisë Komuniste të Holandës! Çudia do mbetej e panjohur, pa angazhimin e Petersenit gjatë viteve të fundit për të zbardhur kujtimet nga ditët e “miqësisë vëllazërore me Enverin dhe liderët e tjerë shqiptarë”, ku rrëfen të vërtetën e inkursioneve të tij në Shqipëri. Megjithatë, ish-bashkëpunëtorët e dikurshëm në Tiranë, e kanë të vështirë të besojnë këtë pjesë të misionit të Petersenit. Profesor Popa, në atë kohë drejtor i Jashtëm i KQ, pohon se nuk ka dijeni për shërbimet e Petersenit në interes të agjenturave perëndimore. “Çështjet që ngrinin holandezët në Tiranë, rrëfen ai, ishin disi ndryshe nga ato të krerëve të tjerë të lëvizjes marksiste. Kryefjala e tyre fokusohej te lufta ndaj shfaqjeve dekadente dhe dukurive ekstravagante të rinisë, por diku shfaqej dhe interesi për metodat e luftës terroriste...”. E veçanta në komunikimin me liderët komunistë të Holandës, më shumë se në kujtesën e Profesor Popës, pasqyrohet me detaje në ditarin e mbajtur në periudhën kur drejtonte sektorin e marrëdhënieve ndërkombëtare në aparatin e KQ të Partisë. Interesante në shënimet e tij është problematika e konsumuar gjatë bisedimeve me homologët e Tiranës dhe qëllimet që fshihen pas tyre...
DITARI
16.3. 1973
Bisedime me shokun Petersen kryetar i partisë M-L të Holandës
Shoku Peterson: Jemi njohur së fundi me disa shfaqje të huaja flokë të gjata, muzikë “Bitëlls” etj., në Shqipëri dhe luftën kundër tyre. Jemi shumë të interesuar për këtë luftë, sepse në vendet Perëndimore përdoret nga borgjezia aventurizmi, muzika pop etj… Në vitin 1972 në një gazetë holandeze është botuar një artikull, ku thuhet se dy anëtarë të lëvizjes së rezistencës M-L paskan mësuar në Shqipëri metodat e luftës terroriste. Më pas edhe një anëtar foli në televizion se metodat terroriste janë të pranueshme nga teoria M-L. Një anëtar u dënua me akuzën e hedhjes së bombës dhe u dënua 3 vjet. Ky shok bënte pjesë në KQ të Rinisë së Kuqe me detyrën e presidentit të saj…
Partia jonë është e vetëdijshme për rolin historik të saj, por është realiste se forca jonë tani për tani është krejt e kufizuar. Megjithatë jemi shumë aktivë në informimin e klasës punëtore.
Kërkojmë të na botoni në gjuhën holandeze këtu në Tiranë disa fjalime të shokut Enver (Fjala në mbledhjen e Moskës, raporti në Kongresin e VI etj) si dhe buletinin e ATSH-së…
Tani të flasim për punën me të rinjtë. Veprimet e të rinjve janë ekstremiste ose jo efektive, ose të dëmshme (narkotikët, muzika e degjeneruar etj) Por edhe të rinjtë M-L detyrohen të vishen njëlloj si ta, ndryshe nuk futen dot në masa etj. Partia duhet të veprojë kundër shfaqjeve të modernizmit e të mënyrës së degjenerimit të jetës. Për këtë mbështetim masat që ka marrë PPSH-ja…
30.4 1975
Takim me shokun Bakrer e Brove të Partisë Komuniste holandeze
Shoku Bakrer: Antikomunizmi në Holandë është akoma i fortë dhe një pjesë e madhe e masave e shohin komunizmin si armik bile më të rrezikshëm se konservatorizmi. Sipas teorisë së tyre komunizmi është një ideologji që sjell uri, likuidim të së drejtave të njeriut, mbytje të fesë etj.
Shoku Brove: Uniteti i forcave që janë kundër kapitalizmit tani për tani na duket i paarritshëm, pra është një problem i të ardhmes. Vështirësitë rrjedhin edhe nga fakti që revizionistët e kanë katandisur socializmin në diçka më të keqe se kapitalizmi. Shpesh herë grupet majtiste që mbështeten kryesisht tek studentët, janë në shërbim të drejtpërdrejtë të borgjezisë, sepse studentët vijnë nga shtresat e larta.
7.5.1975
Takim me shokun P.Brove
Lidhur me gjendjen e PK të Holandës, në janar të vitit 75 në gazetën e saj u botuan tre artikuj nga Paul de Groot ku dukej një ndryshim i theksuar i vijës së partisë.
1. BS vlerësohej si një mbrojtës i paqes dhe vihej në dukje se nuk mund të mendohej për të ardhmen që klasa punëtore holandeze pa ndihmën e BS. Sipas Groot tani ka vetëm një armik, SHBA-të.
Ndërkaq në qëndrimin më të fundit të PK holandeze shprehet qëndrimi kundër përjashtimit të PK të Kinës dhe asaj të Indonezisë nga lëvizja ndërkombëtare. Flitet për rëndësinë e madhe të Traktatit të Varshavës për mbrojtjen e vendeve socialiste dhe rolin e BS aty. (Paul de Groot e të tjerë pas shumë vitesh bënë vizitë në ambasadën e sovjetike)
Këta artikuj janë interpretuar si sulm kundër Kinës, sepse Mao dhe Çu En Lai flasin për teori të dy superfuqive për social-imperializëm sovjetike etj. Pra, kërkesa e Paul de Groot-it që të mos përjashtohet Kina është demagogji. “Pravda” pas shumë vitesh shkroi për PK të Holandës dhe lavdëroi Paul de Groot-it, si partizan të politikës së paqes.
Bëhemi me dije se në qershor do të zhvillohet Kongresi i 25-të i PK të Holandës, ku do të shqyrtohet vija e re e Partisë. Nga informimi për Kongresin e Partisë Social-Demokrate të Holandës bëhet e ditur se atje u diskutuan këto çështje: Anëtarësia në NATO, blerja e avionëve të rinj, problemi i kryetarit të ri të partisë. Den Eli dha raport për vitet e para të qeverisjes socialdemokrate. Gjatë diskutimeve doli qartë përçarja midis krahut të djathtë e të majtë. Treshja Kryeministër, ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, përbëjnë krahun e djathtë dhe janë për bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, për blerjen e avionëve me raketa etj. Krahu tjetër që përfaqësohet nga pacifistë doli kundër këtyre tezave.
Disa çështje praktike që ngritën shokët holandezë të PK: Kemi vështirësi në marrjen e materialeve shqiptare dhe ato deri tani jemi duke i marrë nëpërmjet shoqatës së miqësisë. Ndërkohë, lideri i Holandës falënderoi për dollarët që mori nga ambasada shqiptare në Paris dhe pyeti nëse do të jetë dhe këtë vit në të njëjtën sasi.
Lidhur me botimin e historisë së PPSH në Holandë kushton shumë 18-20 gulden, rreth 6 mijë dollarë. Duhen rreth 12 mijë dollarë për 2000 copë.
Lidhur më shoqatën e miqësisë:
Një e ashtuquajtur “shoqatë miqësie” organizon udhëtime në Shqipëri dhe për anëtarë të partisë revizioniste. Duhet bërë kujdes që garancitë të jepen vetëm nga PK e Holandës.
11.1.1983
Telefonatë nga Parisi nr.71
D. Blom i Organizatës për ndërtimin e Partisë Punëtore të Holandës i ka folur pozitivisht Isa Ramës për librin “Titistët” duke theksuar sa tanimë e kanë më të qartë çështjen e Mehmet Shehut. Ai interesohet për punën e ndihmave.
1.2.1983
Telefonatë nga Parisi nr.329
Ana Zaharia e Sekretariatit të shoqatës së miqësisë dhe e anëtarëve të Partisë Komuniste Punëtore të Francës i tha Isait (Ramës) se tani pas leximit të librit “Titistët” nuk ka më arsye të thuhet se për Mehmet Shehun mungojnë të dhënat, por problemi kryesor ka të bëjë me atë që, pse PPSH-ja nuk bisedoi më parë me partitë e tjera për këtë çështje. Isai dha sqarimet përkatëse dhe ndërkaq tha se në fjalën e shokut Enver para zgjedhësve ngrihen probleme ndaj të cilave ata nuk mund të qëndrojnë indiferentë. Prandaj, sipas tij mospropagandimi i këtij materiali është një veprim jo i drejtë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›