E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i Miteranit në Shqipëri: Do hapeni pas vdekjes së Enverit?

 

“A do të bëhet ujku qengj?!” Dilema për hapjen e Shqipërisë pas vdekjes së Enver Hoxhës pushtoi faqet e shtypit perëndimor, ende pa mbaruar ceremonia mortore e diktatorit në Tiranë. Të parët që nxituan të tatojnë pulsin e zhvillimeve të pritshme pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë ishin qarqet zyrtare franceze. Në ditarin e Agim Popës, përshkruhet ndër të tjera vizita e parë e të dërguarit të Miteranit, ish-presidentit të Francës, i cili me aq sa ndenji e hetoi në vendin tonë nuk konstatoi shenjat e pritshme nga bota e qytetëruar. Me sa dukej Tirana dhe për disa kohë do vazhdonte në kursin e Enverit pa Enverin...
15 shtator 1985
Një shkrim i shtypit francez për Shqipërinë
Një gazetë e njohur franceze boton një shkrim redaksional pa autor: “Bajle-ja në Shqipëri, kur ujku bëhet qengj”. Në të i bëhet jehonë vizitës që bëri së fundi një përfaqësues i qeverisë franceze në Tiranë. Në delegacionin e tij bënin pjesë 60 vetë, pjesa më e madhe gazetarë e industrialistë. J. M. Bajle-ja, sekretar shteti për marrëdhëniet me jashtë pas kthimit nga vizita bëri një koment për të. Në shkrim flitet se zyrtari i lartë i Parisit kishte për qëllim që gjatë kësaj vizite të bënte presion që Shqipëria të fillonte nga ndryshimet. Troç: Shqipëria të hapet në të gjitha drejtimet. Edhe pse imperializmi francez lëshon ndonjë fjalë të sjellshme në adresë të Tiranës, ai nuk mund të fshehë padurimin për ta parë Shqipërinë të evoluojë ashtu si BS pas vdekjes së Stalinit. Shumë gazeta në Perëndim janë shprehur se një vizitë e tillë nuk mund të bëhej kurrsesi një vit më parë, me fjalë të tjera kur Enver Hoxha ishte ende gjallë. Bajle ishte mysafir në Shqipëri me bekimin e Miteranit. Ai në Tiranë foli për respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke shtuar se një nga kushtet për të qenë mik të Francës është që një vend të mos ketë të burgosur politik. Është e vërtetë që në Francë socialdemokracia i dëbon këta në Spanjë. Ky ishte një artikull tepër i ndyrë, plot aluzione armiqësore në adresë të PPSH-së, të cilën e akuzon as më shumë dhe as më pak se po hapet në drejtim të imperializmit perëndimor, po shkon drejt rrugës së degjenerimit që ndodhi në BS pas vdekjes së Stalinit, po tradhton rrugën e Enverit, po pranon në heshtje fushatën ideologjike të socialdemokracisë kundër komunizmit e Komiternit etj. Pra, një shkrim tërësisht i shkruar nga pozita trockiste. Duhet thënë A. Seminit në Paris për të gjetur rastin e për t’i thirrur për t’ua vënë këto në dukje gjithnjë si një përpjekje trockiste antishqiptare….

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›