Muhedini: PDI-së i takonte të ishte në qeveri
Kreu i PDI-së bën të ditur se objekti i kësaj force tashmë mbeten postet e dy zëvendësministrave dhe dy ambasadorëve
"PR-ja ka pasur shumë më shumë vota se sa ne, por në bazë të mandateve, ne na takonte një post ministror"
TIRANË - Pavarësisht se nuk mundi të bëhej pjesë e kabinetit qeveritar, partia që mbron interesat e komunitetit çam, PDI-ja, premton t'i qëndrojë besnike marrëveshjes me PD-në.
Sipas kryetarit të kësaj force, Tahir Muhedini, mungesa e një posti ministror nuk do të ndikojë në marrëdhënien e PD-së dhe PDI-së, megjithëse nuk nguron të deklarojë se komuniteti çam duhet të përfaqësohej direkt në qeveri.
Ai bën të ditur se tashmë nuk i mbetet tjetër, veçse të presë negociatat me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, për postet e nivelit të dytë dhe të tretë.
Duke u ndalur pikërisht tek këto negociata, Muhedini bën të ditura edhe ambiciet e PDI-së për sa u përket posteve të niveleve të dyta dhe të treta. Sipas tij, PDI-ja kërkon dy poste zëvendësministrash dhe, konkretisht, atë të Punëve të Jashtme dhe atë të Integrimit.
Z. Muhedini, sot (dje) Kryeministri Berisha ka dërguar për dekretim emrat e qeverisë "Berisha 2", por në këtë qeveri nuk rezulton asnjë post ministror për PDI-në.
Pse PDI-ja nuk u bë pjesë e këtij kabineti?
Kjo qeveri ka paraqitur emrat e qeverisë së re dhe ne kishim dëshirë të ishim të përfaqësuar. Menduam që pas marrëveshjes së PD-së me LSI-në dhe PR-në, do të ishte radha jonë për fillimin e negociatave dhe nënshkrimin e marrëveshjes, por kjo gjë nuk ndodhi.
Është e vërtetë që në zgjedhjet e 28 qershorit, PR-ja, me në krye z. Mediu, ka pasur shumë më shumë vota se sa ne, por në bazë të mandateve, ne na takonte një post ministror. Mesa duket, numri i votave ka ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e posteve ministrore.
Sa do të ndikojë mungesa e një posti ministror nga PDI-ja në koalicionin me PD-në?
Ne jemi parti parlamentare dhe kemi një mandat, por edhe sikur Partia për Drejtësi dhe Integrim të mos kishte dalë parti fituese nga zgjedhjet e 28 qershorit, ne do të bashkëqeverisnim përkrah PD-së në katër vitet e ardhshme, sepse jemi pjesë e koalicionit "Aleanca për ndryshim" dhe, mbi të gjitha, elektorati ynë i ka shërbyer Partisë Demokratike për 19 vjet. Megjithëse nuk kemi marrë asnjë portofol ministror, ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë. Bashkëpunimi ynë me Partinë Demokratike do të jetë afatgjatë dhe konstant.
Në kërkesën me shkrim që i paraqitët Kryeministrit Berisha në lidhje me kabinetin e ri qeveritar, përveç një posti ministror, ju keni kërkuar edhe dy zëvendësministra dhe dy ambasadorë. A kanë filluar negociatat mes Partisë Demokratike dhe PDI-së lidhur me këtë çështje?
Momentalisht, Partia Demokratike ende nuk na ka thirrur për negociata. Kjo gjë nuk ka ndodhur as për poste ministrore dhe as për postet e nivelit të dytë dhe të tretë. Gjithsesi, jemi në pritje dhe të gatshëm për fillimin e negociatave, tashmë vetëm për postet e nivelit të dytë dhe të tretë.
Cilat janë postet zëvendësministrore dhe cilat ambasada kërkoni? A ka emra konkretë që do të propozohen në këto poste?
Ashtu siç është paraqitur edhe në kërkesën që i është dërguar Kryeministrit Berisha, ne kemi kërkuar dy poste zëvendësiminstrore, përkatësisht zëvendësministrin e Jashtëm dhe atë të Integrimit dhe ambasadorë në SHBA dhe pranë organizmave të Bashkimit Europian. Deri më sot nuk ka ende emra konkretë për t'u propozuar, por ky vendim duhet marrë nga kryesia e Partisë për Drejtësi dhe Integrim.
A do të formoni një grup parlamentar, apo do të bashkoheni me grupin parlamentar të Partisë Demokratike?
Ne do të donim të formonim një grup parlamentar që të përfaqësonte çështjen tonë. Ne kemi vetëm një deputet nga PDI-ja, që ka marrë mandat në këtë legjislacion dhe, në qoftë se do të formonim një grup parlamentar, sigurisht që do të na duhej të merrnim deputetë nga Partia Demokratike, por gjithsesi, tani për tani nuk kemi vendosur ende asgjë zyrtare.