Dibër, kaluan natën jashtë, sëmuren fëmijët
Banorët që u janë prishur shtëpitë nga tërmeti po përballen me një situatë të rënduar teksa kalojnë natën pa çadra
DIBËR- Netët e gjata jashtë, për shkak të lëkundjeve sizmike që kanë vazhduar në fshatrat e Dibrës ku ra tërmeti i para tri ditëve, kanë sjellë probleme shëndetësore për banorët dhe sidomos fëmijëve.
Kështu në spitalin e Bulqizës janë paraqitur rreth 40 banorë nga fshatrat e prekur nga tërmeti me fëmijët e tyre për vizita dhe trajtim mjekësor. Banorët e kontaktuar nga këto zona, thanë se fëmijët e tyre kanë shenja këputje, me temperaturë dhe kollë të fortë. Ata kanë marrë ftohje pikërisht nga qëndrimi jashtë në natyre gjatë këtyre netëve, ftohje që po vijnë edhe për shkak se fshatrat e tyre ndodhen në zona me lagështirë të madhe,dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Banorët e Gjoricës dhe të Shupenzës kanë hezituar të futen në shtëpitë e rrënuara nga tërmeti për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme të tokës, ndaj kanë sajuar çdo mundësi të rastit për të kaluar natën jashtë, që nga ngrehinat me plastmase, karrocat e kuajve ku janë sajuar si bujtina të vogla për fëmijët kryesisht dhe të moshuarit, por që tashmë janë shfaqur dhe probleme serioze shëndetësore.
"Kam katër fëmijë, thotë një banor, dy prej të cilëve në djep, ata kanë tre net që flenë jashtë, si mundet një fëmijë gjashtë muajsh të durojë këtë gjë",- thotë i indinjuar një prej banorëve. Edhe një banor tjetër shprehet për të njëjtën gjë, ka tre fëmijë dhe dy të moshuar në shtëpi, të cilët prej tre netësh flenë jashtë nën të ftohtin që ka ardhur atje.
Banorët shprehen se janë në kufijtë e fundit të rezistencës ndaj duan zgjidhje të shpejta, dhe jo thjesht llafe e premtime. Të pakënaqur nga zgjidhjet gjysmake apo disa të cilët nuk kanë përfituar asnjë ndihmë, shumë prej banorëve kanë protestuar para zyrave të pushtetit vendor.
Janë 800 shtëpi të dëmtuara në Gjoricë nga 1300 gjithsej, dhe ata që janë dëmtuar janë më të varfrit e kësaj krahine, shumica pa punë e të ardhura të tjera,si dhe me shtëpi të ndërtuara me qerpiç pa asnjë mundësi strehimi tjetër,ndaj sipas tyre nuk janë 20 fletë çadre që mund t'ua zgjidhin këtë hall.
Dasma që u prish nga tërmeti
Pre e goditjes nga tërmeti i të dielës së kaluar ka rënë dhe një dasmë në një fshat të Shupenzës. Pikërisht në momentin kur darka e dasmës së familjes Duka sa po shtrohej në një lokal të Shupenzës, rënia e tërmetit ka qenë shokues duke sjellë panik për dasmorët e ekzaltuar nga gëzimi, ndërsa i zoti i dasmës është detyruar ta ndërpresë atë në mes, kështu nuk është bërë e mundur as lënia e peshqeshit sipas traditës së këtyre anëve. Por për fat nuk ka patur të lënduar.