Muhedini:Dule një racist i vonuar e një antiçam i tërbuar
Kryetari i kësaj partie, Tahir Muhedini deklaroi se i kishte ndjekur me indinjat prononcimet e Dules, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë së tij. “PDI reagon si gjithnjë për manipulimet politike dhe historike që kërkon të bëjë një politikan informal që gjithnjë e ka menduar veten si pjesë e mazhorancave qeverisëse. Humbja e tij dhe e koalicionit të majtë duket se e ka tronditur shumë Dulen dhe pasuesit e tij përfitues në kurriz të interesave kombëtare shqiptare”, thekson Muhedini.Ai shton se PDI i qëndron gjithnjë besnik interesave të çështjes kombëtare dhe asaj çame në veçanti që në tërësinë e tyre shërbejnë në integrimin e shqiptarëve në Evropën e zhvilluar, pa paragjykimet heretike të një pinjolli që e sheh veten si pasues i interesave të fanaristëve të Athinës. “Vërejmë me keqardhje se z. Dule ende ruan një mentalitet të gabuar ndaj historisë dhe vuajtjeve të pashembullta të komunitetit çam, i cili është sot minoriteti më i harruar në Evropën e Bashkuar”, thekson më tej deklarata. PDI nënvizon se deklaratat e Dules janë raciste, ndërsa i kujton se sot të drejtat e njeriut përbëjnë një pasuri dhe vlerë universale për të gjithë. “Me këto veprime të njëpasnjëshme të kryetarit të PBDNJ na imponon ne, përfaqësuesve të popullatës çame ta demaskojmë botërisht dhe ta cilësojmë këtë renegat që frymëzohet nga skutat më të errta greko-shqiptare si një racist i vonuar dhe një antiçam i tërbuar e kronik dhe fyes i të drejtave të njeriut”, thuhet më tej.