E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovenia do të vazhdojë me mbështetjen për Kosovën

Pas një takimi me homologun kosovar, Fatmir Sejdiu, z. Turk vlerësoi zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ndërsa për pjesëmarrjen e serbëve tha se ishin "hapa inkurajues" për shtetin e ri. Gjithashtu, Presidenti slloven u zotua për praninë e mëtejshme civile dhe ushtarake sllovene në Kosovë. Njëherësh ai tha se mbështet Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit në ambiciet e tyre integruese evropiane dhe në liberalizimin e vizave. "Liria e lëvizjes është një prej parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu që heqja e vizave nënkupton mundësinë e zbatimit të kësaj të drejte", tha Presidenti slloven. Presidenti Sejdiu, pasi vlerësoi rolin konstruktiv të Lubjanës zyrtare ndaj Kosovës, falënderoi Slloveninë për angazhimin e vazhdueshëm dhe premtoi bashkëpunimin konstruktiv edhe të Kosovës me shtetin slloven. "Është e rëndësishme që ky përkushtim kaq kualitativ nuk ka mbetur vetëm në relacionet e drejtpërdrejta mes dy vendeve dhe dy popujve, por edhe me një angazhim të fuqishëm të Republikës së Sllovenisë edhe në qendrat ndërkombëtare, për të sqaruar mirë arsyet e mëvetësisë së Kosovës", theksoi Presidenti Sejdiu. Kjo është një garanci dhe një përkushtim i plotë në ndërtimin e marrëdhënieve të reja në rrafshe të shumta, që janë të nevojshme për dy vende sovrane, nënvizoi Presidenti Sejdiu.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›