E Diel, 1 Nëntor 2026

Muho: Kërkesa për shkarkimin tim shkelje ligji, masa në 2003 e ezauruar

TIRANË- Ilirian Muho anëtari i LSI-së në KQZ, për të cilin Kuvendi është duke zhvilluar një seancë me qëllim që ta shkarkojë nga detyra, sqaron situatën e krijuar në rubrikën “Opinioni” për News 24.

Sipas Muhos është transformuar kërkesa fillestare e paraqitur nga PD, për shkarkimin e tij.
“E kam ndjekur dhe unë me vëmendje këtë seancë, kam parë se si është transformuar kërkesa për shkarkimin tim, fillimisht kishte si kriter prishjen e balancave në KQZ, sot i janë shtuar akuza në lidhje me personin tim kur kam qënë prokuror në Fier. Natyrisht i përbuz me neveri akuza dhwe pretendime të tilla, pasi nuk është e vërtetë ajo që pretendohet”, tha Muho. 

Ai sqaroi më tej se pse akuzohet sot në Kuvend. "Jam i detyruar të sqaroj disa gjëra pavarësisht se ka kaluar një kohë e gjatë, më ndjeni për ndonjë paqartësi. Problemi qendronte në kërkesën e bërë nga një person i cili nuk ishte në burg për njohjen e një vendimi të huaj, i cili ishte marrë nga gjykata e Milanos. Procedura penale parashikon njohjen e vendimeve të dhëna nga gjykata të huaja në gjykatat shqiptare dhe mbi bazë të një kërkese të tillë, personi nëpërmjet avokatit paraqiti një kërkesë pranë Prokurorisë së Rrethit Fier, ku duhet të bëhej njohja e vendimit të dhënë në Gjykatën e Milanos. Në Gjykatën e Milanos personi me sa kujtoj ishte dënuar me burgim të përjetshëm për disa vepra penale. Ligji shqiptar parashikon që njohja e vendimit do të bëhet në bazë të dispozitave që parashikon ligji shqiptar për atë vepër që është kryer atje dhe masa e dënimit do jepet në raport me masën që parashikon ligji shqiptar. Në maksimumin e saj kjo vepër sipas ligjit shqiptar dënohet me 25 vite burg. Nga gjykata e rrethit Fier ju njoh masa dhe iu konvertua me 23 vite burg. Nuk besoj që i kemi bërë ndonjë nder që e kemi konvertuar në 23 vite. Më pas nga avokati i tij na vjen një kërkesë duke na thënë që ky person është i papërgjegjshëm dhe vuan nga një sëmundje psikike. Pra ky person duhet të ekzaminohej. Është zhvilluar seanca për të parashikuar gjendjen e këtij personi, mjekët nëpërmjet një raporti paraqitën se ky person është i papërgjegjshëm. Menjëherë Gjykata e Fierit vendosi mbylljen e tij në Psikiatri. Ne kemi vendosur një masë pezullimi për ti dhënë kohë mjekëve të përcaktojnë gjendjen e tij. Kundër kësaj mase pezullimi janë ankuar autoritetet por ky gjykim deri në Gjykatën e Lartë është cilësuar si i drejtë. Ky preson është edhe sot në burg, vuan dënimin e dhënë prej nesh”, sqaroi Muho.

Pas kësaj shton ai, Pati një kërkesë të drejtuesit të asaj kohe të Prokurorisë së Përgjithshme. “Ishte një masë administrative, e cila duke qenë se Gjykata e Lartë na dha të drejtë, por masa ishte marrë ndërkohë dhe unë u shkarkova”, vijoi Muho.

Muho u shpreh se akuzat e ngritura në Kuvend janë të pavërteta dhe se shkarkimi i tij në 2003 nuk e pengon për të ushtruar detyrën e anëtarit të KQZ. Muho tregoi se rasti i tij është i ngjashëm me atë të ish-kryetarit të KQZ-së Arben Ristanit, i cili sipas Muhos ka qenë edhe i dënuar.

"Kjo gjë ka ndodhur edhe me ish-anëtarin e KQZ-së Arben Ristani. Pasi është një fakt i njohur publikisht që ky person ka qenë i ndaluar nga policia, ka qënë i dënuar, ka qenë i larguar nga detyra, por në vlerësimin tim si jurist emërimi i tij ka qenë në përputhje me ligjin sepse masa administrative e dhënë ndaj tij ka qenë e parashkruar në kohën kur është emëruar. E njëjta situatë është edhe tani. Unë jam shkarkuar nga detyra në vitin 2003, në vitin 2008 kjo masë është ezauruar dhe nga 2009 deri më tani unë kam ushtruar detyra të ndryshme”, shtoi Muho.

Lidhur me shkarkimin e tij Muho sqaron se, “Në CV kam treguar përvojën e punës. Kanë qënë në dijeni që në vitin 2003 kam qenë prokuror i shkarkuar. Në momentin që kam pranuar kandidimin nga forca politike kam gjykuar se plotësoj kushtet sipas nenit 12”, tha ai.

Muho shton se, “Nëse kërkesa do bazohej në një nga pikat e nenit 18 cështja do ishte e thjeshtë. Rasti që pretendohet se është shkelur ka të bëjë me prishjen e balancës. Pra nëse është prishur balanca të mblidhemi dhe ta rregullojmë atje ku prishet, jo të cënohet KQZ”, tha ai.

Ilirian Muho shprehet se politika duhet të rrijë larg KQZ-së. “Ky institucion duhet të jetë i cliruar në vendimmarrje nga ndikimet dhe të bazohet tek ligji dhe vetëm tek ligji”.

“Tërheqja e vëmendjes nga ndërkombëtarët ka të bëjë pikërisht me faktin se ky është një institucion apolitik”, tha Muho ndërsa nënvizoi se ky arsyetim për anëtarët e KQZ-së kompromenton edhe procesin zgjedhor.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera PD kërkesë për shkarkimin e Ilirjan Muhos: Mashtroi me CV

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›