E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër dhuratë për mësuesen e pianos, Nadjezhda Porodini

Një libër dhuratë për mësuese Nadjezhdën 
Edhe pse një emër i njohur tashmë në skena të rëndësishme të Europës, pianistja Dhurata Lazo nuk i ka harruar ata që e kanë ndihmuar në rrugën e artit. Mes tyre është edhe mësuesja e Liceut Artistik “Jordan Misja”, Nadjezhda Porodini Jole, së cilës ajo i ka kushtuar një libër, që u promovua pak ditë më parë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
 
Nuk ishtë festa e mësuesit, dhe as ditëlindja e saj, por disa vite para se të dalë në pension, ndoshta kjo është dhurata më e bukur dhe kujtimi më i shtrenjtë që Nadjezhda ka marrë ndonjëherë nga nxënësit e saj. Për mësuesen e pianos, me më shumë se 35 vite përvojë pune pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në kryeqytet, brezat e nxënësve ndër vite kanë bërë vajtje-ardhjet e tyre për t’ia lënë radhën më të rinjve, por emri i Dhurata Lazos është ai që do mbahet mend edhe për këtë iniciativë të saj. 

Pianistja shqiptare me banim në Gjermani nuk ka qenë nxënëse direkte e mësuese Nadjezhdës, ama ka fiksuar më të mirën prej saj, teksa ndesheshin korridoreve të shkollës, nga buzëqeshja e pandarë te mbështetja që zysh Nadi iu jepte nxënësve në konkurset dhe koncertet që zhvilloheshin asokohe. Gjithfarë ka dashur të shprehë në shenjë mirënjohje, Lazo e ka thënë mes rreshtash në faqet e librit, por vetë protagonistja, muza e autores, nuk gjen fjalë për të përshkruar vlerësimin ndaj Dhuratës dhe bashkëpunëtorëve, të cilët janë sot artistë shqiptarë me famë kudo nëpër botë. 

“Dhurata nuk ka qenë nxënëse e imja, por unë kisha pikasur tek ajo vajzë talentin e pashoq dhe gjatë kohës që drejtoja komisionin e pianos në Lice, e kam përkrahur në jo pak raste. Me zemërgjerësinë e një artisteje të vërtetë Dhurata më bëri këtë dhuratë të bukur, për të cilën do t’i jem mirënjohëse gjithë jetën.  Është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë, një libër i shkruar vetëm për mua”, thotë mësuese Nadi.

Ish-nxënësit e Liceut, kontribut për librin
Për autoren e librit nuk ka pikë mëdyshje që nisma është krejtësisht personale. Por, kontribuues të qenësishëm në këtë botim kanë qenë edhe shumë ish-nxënës të mësuese Nadjezhdës, të cilët, të shpërndarë kudo nëpër botë, kanë vendosur kontaktet me njëri-tjetrin për t’u bërë bashkë në këtë nismë të veçantë, duke ndarë copëza të kujtimeve nga puna me mësuesen e tyre të dashur. Hilda Toçi (Rumani-Hollandë) Fedra Blido (Gjermani), Merita Rexha, (ILA), Fabjana Pjetri (Kanada), Irida lalo (ILA), Sarina Guda (Francë), Kledia Stefani (Gjermani), Redi Llupo (SHBA), Besjana Çegrani (Gjermani), Era Çaushi (Angli), janë vetëm disa prej emrave që ndajnë opinione dhe eksperienca personale nga përditshmëria me zysh Nadën, duke i shkruar në libër, për t’i ndarë mandej edhe me lexuesit. 

Për gjithë muajt me radhë, deri në botimin e librit, është punuar në mënyrë të fshehtë, dhe vetë Nadi nuk kishte nuhatur as përpjekjen më të vogël mes kolegëve apo edhe të afërmve që synonin ta surprizonin në këtë formë. Dhe kjo zgjati deri ditën kur nevoja për të pasuruar librin me foto personale të mësueses, i “detyroi” të trokisnin në derën e saj… 

"Më emocionon ideja dhe jam e prekur për këtë iniciativë e mbi të gjitha për dashamirësinë e kolegëve, ish nxënësve të mi të dashur dhe nxënësve që kam sot. Dua t’i falenderoj nga zemra për gjithçka që kanë shkruar dhe dua t’i siguroj se secili prej tyre ka dhënë energjitë e veta më të mira, për të pasuruar mendimin tim profesional, për të shtuar tek unë pasionin dhe për të më bërë akoma më këmbëngulëse në realizimin e qëllimeve të mia", shprehet mësuese Nadjezhda. 

Emri i veçantë i mësueses
Po aq sa për suksesin profesional në librin me titull “Nadjezhdës, me mirënjohje…”, faqe të tëra mund të ishin mbushur edhe me historinë e bukur që fshihet pas emrit që gjyshja i vendosi ditën që ajo lindi. “Gjyshi u dashurua me gjyshen time bullgare Magdalena, gjatë Luftës I Botërore. Pasi u dashuruan, vendosën të martoheshin dhe kështu u kthyen në Korçë, kohë kur kufijtë me shtetet fqinje u mbyllën. Kështu gjyshja shkëputi të gjitha lidhjet me prindërit, të afërmit e saj. Me me emrin tim "Nadjezhda", që në gjuhën e saj do të thotë “Shpresë”, ajo me siguri ka dashur të mbajë gjallë shpresën se një ditë do t’i takonte sërish … edhe pse nuk i pa më kurrë. Ndaj kur linda unë, mbesa e parë që e bëra gjyshe, ajo zgjodhi një emër kaq të bukur, dhe të veçantë”, tregon zysh Nadjezhda.
(Panorama/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›