E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes

Pas përfundimit me sukses të Kampionatit Europian të Peshëngritjes, që u mbajt në Tiranë, Kryeministri Sali Berisha priti sot Presidentin e Federatës Botërore te Peshëngritjes, Tamash Ajan, i cili shoqërohej nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe kryetari i Komitetit Organizator të Europianit, Gudar Beqiraj. Kryeministri Berisha përgëzoi zotin Ajan për mbështetjen që i dha Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në nismën e guximshme për organizimin brenda një periudhe dy mujore të Europianit në Shqipëri pas tërheqjes, për shkaqe të krizës, që i bënë organizimit të këtij aktiviteti Spanja dhe Bullgaria. 

Ai e quajti inkurajuese për zhvillimin e sportit në përgjithësi dhe peshëngritjen në veçanti vizitën e Presidentit te Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tamash Ajan, ndërsa i premtoi mbështetjen e qeverisë shqiptare në organizimin e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në Shqipëri. Pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe për ndihmën e dhënë nga qeveria për Federaten Shqiptare të Peshëngritjes në organizimin e shkëlqyer të Europianit, Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tamash Ajan, i kërkoi zotit Berisha që të mbështesë akoma më shumë këtë sport, që i bën shqiptarët të dallohen në botë. Ai tha se kishte ardhur për herë të parë në Shqipëri 15 vite më parë, por po shihte këto ditë një zhvillim të madh. Kryeministri Berisha tha se sporteve kolektive dhe individuale do t'u kushtohet vëmendje e posaçme, duke nxitur pjesëmarrjen në to, veçanërisht të rinisë.
(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›