E Diel, 1 Nëntor 2026

Muja dhe të tjerët ende nuk e kanë aktakuzën

As gjatë ditës së sotme Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë zyrtarët e tjerë të kësaj komune ndaj të cilëve EULEX-i ka ngritur aktakuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare nuk kanë marrë ndonjë konfirmim zyrtarë. Këshilltari politik i Ramadan Mujës ka thënë për Radio Kosovën se kryetari është në vendin e punës dhe po e vazhdon agjendën e tij, ndërsa Drejtori i Urbanizmit, Sadik Paçarizi i cili akuzohet në një pikë të aktakuzës, thotë se lajmin e ka marrë nga mediat dhe nuk din asgjë më shumë.

Një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë për korrupsion në Gjykatën Themelore të Prizrenit kundër Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi. Ndonëse komunikata zyrtare u është dërguar mediave, të apostrofuarit nuk janë në dijeni për këtë pasi siç edhe thonë nuk kanë arrë njoftim zyrtarë. Ymer Berisha këshilltar politik i Ramadan Mujës thotë se shefi i tij ka dalë në vendin e punës dhe po vazhdon me agjendën e tij.

Ndërkaq, Drejtori i Urbanizmit, Sadik Paçarizi i cili sipas komunikatës së lëshuar nga misioni i BE-së për sundimin e rendit dhe ligjit, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare thotë se lajmin e kishte marrë nga mjetet e informimit gjatë ditës së djeshme. Ai aktakuzën e cilëson të motivuar politikisht dhe thotë se do të japë dorëheqjen nëse do të shpallet fajtorë.

E Kryetari i Gjykatës Themelore, vendi prej nga është ngrit aktakuza, Ymer Hoxha, thotë se as sot nuk kanë marrë ndonjë njoftim të këtillë nga EULEX-i.

Sidoqoftë në komunikatën e EULEX-it thuhet se Ramadan Muja akuzohet në katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Minir Krasniqi, shef i iadministratës akuzohet në dy pika , kurse Sadik Paçarizi drejtor i urbanizmit Abdullah Tejeci drejtor i kadastrit, Kadri Ukimeri, dhe Avni Ademaj, akuzohen në një pikë të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit.

Rasti siq thuhet në kumtesë përfshin pretendime për shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takon Komunës së Prizrenit dhe vepra të tjera që kanë rezultuar me shkeljen e rëndë të të drejtave të një numri të paditësve në konteste civile./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›