Muja në Berlin
"Was ist ein Name" (Çka është një emër?) titullohet ligjërata, të cilën do ta mbajë sonte (e martë) artisti kosovar Alban Muja në Muzeun e Artit Amerikan në Berlin. Këtu ai do të flasë për punimet e tij ‘Free your mind’, ‘Palestina’, ‘Tibet’ dhe ‘Blue wall red door’, të cilat janë prezantuar në këtë muze.
Muja që disa ditë është jashtë vendit, fillimisht në Poloni ku e përfaqësoi Kosovën në Kongresin e Kulturës së Evropës, ndërsa më pas mori pjesë në ekspozitën ‘Spaceship Yugoslavia’ (Jugosllavia anije kozmike), që u mbajt në galerinë ‘NGBK’ në Berlin, ku u paraqit me veprën ‘Tonys’, një vepër në fotografi si dhe me filmin ‘Blue wall red door’.
Në këtë ekspozitë, Muja bashkë me artistë të tjerë të shteteve të ish Jugosllavisë, përmes artit paraqitën konceptet e tyre për Jugosllavinë dhe transformimin e saj.
Ndërkaq, në Muzeun e Artit Amerikan, ku edhe do ta mbajë ligjëratën, Muja ka prezantuar disa prej videoveprave të tij, të cilat hulumtojnë mënyrën se si njerëzit, vendet dhe institucionet ndikojnë në perceptimet tona ndaj tyre.