E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muja në Pixxelpoint

Këto ditë në Slloveni u hap ekspozita/festivali “Pixxelpoint 2011-12th International New Media Art Festival”, ku në mesin e shumë artistëve të njohur u prezantua edhe artisti kosovar Alban Muja me veprën “Tonys”.

Pixxelpoint është një nga festivalet më të njohura dhe më të suksesshme të artit të ri medial në Slloveni dhe jashtë vendit. Qëllimi i Pixxelpoint është në radhë të parë për të sjellë teknologjinë e informacionit dhe artin e ri medial më afër publikut të gjerë, dhe së dyti, për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me një potencial të ndryshëm për përdorimin e kompjuterit në mesin e të rinjve. Në edicionet e mëparshme të festivalit kishte një reagim të madh medial duke sjellë kështu mbi 3000 vizitorë të cilët e vizitonin atë çdo vit, kështu që kjo është një sfidë për organizatorët për ta zgjeruar më tej atë dhe për t’i zgjeruar kufijtë e hapësirës së galerisë, e cila është bërë shumë e vogël për të gjitha projektet të cilat janë për t’u kryer. Ekspozita e projekteve të reja të artit medial, si ngjarja qendrore e festivalit është vendosur në galeritë e dy qyteteve kufitare në Slloveni në Nova Gorica në Mestna Galeri dhe Tir Galeri sikurse Metropolitana Galeri në Gorizia (Itali). Në këtë ekspozitë/festival në mesin e emrave të njohur të artit u prezantua edhe artisti kosovar, Alban Muja. Muja u prezantua me veprën ‘Tonys’ në të cilën shihen nëntë fëmijë shqiptarë të Kosovës të cilët janë emërtuar sipas emrit të ish kryeministrit britanik Tony Blair, i cili, sipas artistit, tek shqiptarët shihet si hero pas ndihmës që i bëri vendit në rrugën drejt lirisë. Përveç Mujës në këtë edicion kanë marrë pjesë edhe artistë tjerë, nder ta edhe artistët e njohur si Santiago Sierra apo Marina Grzinic.

Titulli në edicionin e 12-të të Pixxelpoint 2011 është dukshëm enigmatik: ‘Lets Get Ready’ (Të bëhemi gati), thjesht përcakton një hapësirë të angazhimit, e shtyrë përpara nga një forcë gjeneruese: "për të filluar përsëri nga fillimi" për ata që kërkojnë atë që formulon artin e ri medial në tranzicion ndërmjet manifestimeve të ndryshme, të cilat mund të marrin kuptime të reja në rikonfigurime të shumta kontekstuale, pa marrë parasysh materialitetin apo modalitetin e tyre. Ekipi kuratorial i ekspozitës përbehet nga Gülsen Bal – kuratore dhe teoriciene e kulturës vizuale. Ajo është udhëheqëse e zhvillimeve të projekteve dhe programeve në Open Space - Zentrum für Kunstprojekte në Vjenë. Po ashtu bashkëkuratorë ishin edhe grupi i artistëve Brida (Jurij Pavlica, Sendi Mango, Tom Kerševan).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›