E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mula, trajner në Vëllaznim, kthehet edhe Duraku

Blerim Mula do ta udhëheqë Vëllaznimin, sezonin e ardhshëm. Kanë mbetur të zgjidhen vetëm edhe disa detaje, por udhëheqësit e klubit gjakovar janë të bindur se të premten kjo punë do të kryhet. Ndërkohë, Vëllaznimi i ka filluar të martën përgatitjet për sezonin e ri. Nga Moral Pozhegu më 27 korrik 2011 në ora 12:23

Vëllaznimi vazhdon të jetë aktiv në afatin kalimtar të verës. Pasi riktheu Luigj Buqajn e Debatik Qarkaxhinë, klubi gjakovar pothuajse ka arritur marrëveshje edhe me trajnerin Blerim Mula, i cili pritet ta zëvendësojë Ajet Shoshollin, që e udhëhoqi klubin gjakovar në dy sezonet e fundit.

Kryesia e Vëllaznimit ka pasur një takim me Mulën të hënën mbrëma, ku në parim është arritur marrëveshja, por që kanë mbetur të zgjidhen edhe disa detaje. Pritet që Mula ta marrë postin e ri (të vjetër) zyrtarisht të enjten, ose të premten.

“Kishim një takim me Mulën dhe nga ai takim ka shenja pozitive. Mund të konfirmoj se jemi shumë afër marrëveshjes me Mulën. Kanë mbetur vetëm disa detaje të imta. Besoj se të enjten, maksimum të premten, ai do të emërohet trajner i Vëllaznimit”, konfirmoi kryetari i klubit, Afrim Këpuska për Express.

Edhe vetë Mula ka konfirmuar se është në bisedime me Vëllaznimin, por ai pret përgjigje nga Kryesia këto ditë, pas kushteve që ua kanë vënë palët njëri-tjetrit. Edhe pse tregohet i matur, duket se do të jetë pikërisht Mula ai që do t’i drejtojë Kuqezinjtë sezonin që vjen.

“Më e rëndësishmja është se Vëllaznimi është riorganizuar dhe me kryesi të re, do ta lërë prapa periudhën e fundit negative. Jemi në bisedime, kanë mbetur edhe disa imtësi, por deri të premten do të dihet gjithçka”, deklaroi Mula, i cili e kishte udhëhequr Vëllaznimin edhe në të kaluarën.

Ndërkohë, gjakovarët i kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri të martën. Kuqezinjtë, të cilët janë skuadra e fundit që e nis fazën përgatitore, përkohësisht do të drejtohen nga ndihmëstrajneri i deritashëm, Luan Tabaku.

Kthehet edhe Duraku

Pas Luigj Buqajt e Debatik Qarkaxhisë, Vëllaznimi e ka kthyer edhe njërin prej qendërmbrojtësve më të mirë në Kosovë, Roland Duraku, i cili së fundmi luajti për Lirinë. Përfaqësuesi i Kosovës ka nënshkruar për gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi deri në fund të sezonit.

“Vendosa të largohem nga Liria për shkak të zvogëlimit të rrogave, e në anën tjetër, Vëllaznimi më ofroi kushte shumë më të mira. Do t’i mbroj ngjyrat e Vëllaznimit për gjashtë muaj. Nga kjo marrëveshje, klubi është i obliguar t’i kryejë obligimet ndaj meje, deri më datën 4 të çdo muaji. Kështu të paktën më kanë premtuar”, tha Duraku.

Ai është i bindur se Vëllaznimi nuk do të luftojë më për mbijetesë. “Vëllaznimi do të jetë njëri prej ekipeve që do ta thotë fjalën kryesore në Superligë. Me katër përforcimet që janë bërë, dhe me një apo dy të tjera, do të jetë vështirë të na mposhtë dikush”, shtoi ai.

Skeraj e Karahoda, objektivat e rinj

Vëllaznimi e ka ndërmend ta vazhdojë ‘peshkimin’ në Prizren. Pasi ktheu Luigj Buqajn, Debatik Qarkaxhinë, Roland Durakun dhe në një të ardhme shumë të afërt edhe Alban Dylazekën, klubi gjakovar ua ka mësyrë edhe dy lojtarëve të tjerë të Lirisë.

“Jemi në bisedime edhe me Agron Skerajn e Fatih Karahodën. Shpresojmë që ta gjejmë gjuhën e përbashkët edhe me këta dy lojtarë, pasi kthyem Qarkaxhinë, Buqajn, Durakun e Dylazekën”, nënvizoi kryetari Këpuska.

Ndërkohë, klubi gjakovar mund ta kthejë edhe Shpëtim Durakun, i cili nuk luajti sezonin e fundit me kuqezinjtë, pas mosmarrëveshjeve që pati me trajnerin Shosholli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›