E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohin kundërshtarët

Pesë skuadrat kosovare të hendbollit, të martën janë njohur me emrat e kundërshtarëve, me të cilët do të përballen në garat evropiane, sezonin që vjen. Kastrioti, në Kupën EHF do të luajë me Sutjeskën e Malit të Zi, kurse Besa Famiglia ballafaqohet me Motor-ZNTU-ZAS nga Ukraina, në Kupën e fituesve të kupave. Ndërkaq, Prishtina do t’i matë forcat me ekipin italian, SSV Boze, në Kupën e sfiduesve. Nga Moral Pozhegu më 27 korrik 2011 në ora 12:25

Skuadrat kosovare të hendbollit do të kenë punë të vështirë sivjet, në garat evropiane. Pesë ekipet pjesëmarrëse në Evropë, tri në konkurrencën e meshkujve: Kastrioti i Ferizajt, kampion, Besa Famiglia nga Peja, fitues i Kupës, e Prishtina dhe dy në atë të femrave: Prishtina, kampione e fituese e Kupës dhe Kastrioti i Ferizajt, i mësuan të martën kundërshtarët e tyre për edicionin 2011/12, pas shortit, i cili u hodh në selinë e EHF-së në Vjenë të Austrisë.

Kastrioti (meshkujt), në rrethin e parë të Kupës së EHF-së më 3-4 shtator përballet me Sutjeskën nga Nikshiqi (Mali i Zi). Kryetari i klubit ferizajas, Lulzim Abazi, e pranon se kundërshtari malazez nuk është i lehtë, por beson se ekipi i tij mund të ecë tutje.

“Do të shikojmë që brenda dy ditësh të kemi më shumë njohuri për rivalin dhe do të orvatemi të sigurojmë një CD të lojës së tyre. Mendoj se mund ta kalojmë Sutjeskën dhe të shkojmë më tutje. Na duhen edhe disa përforcime me hendbollistë që të bëjmë skuadër sa më të fortë”, tha ai.

Kurse, Besa Famiglia në Pejë i pret ukrainasit HC Motor-ZNTU-ZAS, ndeshje e vlefshme për rrethin e dytë të Kupës së fituesve të kupave evropiane. Ndeshja e parë luhet më 8/9 tetor, kurse ajo e kthimit më 15/16 tetor. Trajneri Fatmir Muhaxheri, ekipin ukrainas e konsideron si kundërshtar të vështirë.

“Vërtet është ballafaqim i vështirë. Një short jo i mirë, por do të mundohemi të kemi paraqitje sa më dinjitoze ndaj Motor-ZNTU-ZAS-së nga Zaporozhja. Sa u përket përforcimeve, do të shohim se a do të bëjmë apo jo, sepse siç dihet, me rregulla të reja të EHF-së, për angazhimin e hendbollistëve të huaj duhet paguar tre mijë franga. Me këta lojtarë që kemi, mendoj të ndërtojmë lojë sa më kompakte”, tha trajneri pejan.

Prishtina (meshkujt), në rrethin e tretë të Kupës së sfiduesve takohet me ekipin italian, SSV Bozen. Loja e parë do të zhvillohet më 26/27 nëntor, kurse ajo e kthimit një javë më vonë, 3/4 dhjetor. Trajneri Taib Kabashi tregon se ka hulumtuar në internet dhe ka mësuar pak a shumë rreth rivalit. Ai është optimist se bardhekaltrit mund të ecin tutje.

“Është një ekip që e ka trajnerin kroat dhe tre hendbollistë nga Kroacia. Mendoj se është një short i mirë dhe do të luftojmë që të futemi në çerekfinale, njëkohësisht të hyjmë në histori”, deklaroi Kabashi.

Sa i përket konkurrencës së femrave, Prishtina, në kupën e EHF-së, në ndeshjen e rrethit të dytë takohet si mysafir me Arkatronin nga Bjellorusia, kurse Kastrioti, sfidën e parë e luan si mysafir i rumuneve të Otelul Galatit, e cila zhvillohet në kuadër të rrethit të dytë të Kupës së fituesve të kupave evropiane.

Kupa e EHF-së – meshkujt
Kastrioti – Sutjeska (Mali i Zi)

Kupa e fituesve të kupave
Besa Famiglia – HC Motor-ZNTU-ZAS (Ukrainë)

Kupa e sfiduesve
Prishtina – SSV Bozen (Itali)

Kupa e EHF-it – femrat
Arkatron (Bjellorusi)– Prishtina

Kupa e fituesve të kupave
HC Otelul Galati (Rumani) – Kastrioti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›