E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, Federata fut nën "kthetra" arbitrat

TIRANE - Një mbledhje rutinë, ku duhej të caktoheshin drejtuesit e Komitetit të Arbitrave, është kthyer në një mollë sherri mes drejtuesve të Federatës së Futbollit dhe përfaqësuesve të klubeve, duke nxjerrë në dritë edhe një skandal të vërtetë përsa i përket mënyrës sesi funksionon institucioni qendror i futbollit në vend. Fakti që FSHF nuk u la afat klubeve që të përzgjidhnin emrat që do të propozonin për në këtë Komitet, ka krijuar dyshime të shumta, se propozimet ishin bërë të diktuara. Madje, klubet nuk janë lejuar të organizojnë një mbledhje më vete dhe të diskutojnë në lidhje me propozimet që do të bënin, por janë thirrur tek e tek për këtë nga zyrtarët e Federatës. Gjë që do të thotë se përfaqësuesit e klubeve ishin "përpunuar" paraprakisht në lidhje me propozimet që do të bënin. Gjithçka bëhet me synimin për të mbajtur ende nën kontroll sektorin e arbitrave, gjë që u denoncua edhe nga kryetari i Komisionit të Kategorisë Superiore Koço Kokëdhima. Në një debat të fortë me sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së Eduard Prodani, ai i quajti procedurat tërësisht jo transparente. "Përderisa procedurat për emërimin e drejtuesve të këtij Komiteti i udhëhiqni ju të Federatës dhe jo klubet, atëherë këtu nuk ka liri zgjedhjeje. Ju mund t'i keni mësuar apo porositur klubet që të japin emrat e këtyre personave", u shpreh Kokëdhima, që më tej akuzoi FSHF-në se nuk dëshiron pastrimin e futbollit.
Skandali
Përfaqësuesit e klubeve kanë propozuar 6 emra për Komitetin e Arbitrave Prek Pjetrushi, Sokol Jareci, Arjan Hoxha, Uvil Zajmi, Arjan Mali, Bujar Pregja, të gjithë njerëz të besuar të drejtuesve aktualë të FSHF-së. Por, propozimi më skandaloz ka qenë ai i emrit të Tahir Kastratit për kreun e Komitetit të Arbitrave. Një propozim që është bërë nga presidenti i FSHF-së Duka dhe që përbën në vetvete një shkelje të hapur të rregullores. Arsyeja? Kastrati aktualisht mbulon rolin e presidentit të Shoqatës së Arbitrave, anëtar i Komitetit Ekzekutiv, kryetar i Komitetit të Arbitrave dhe kryetar i Komisionit të Caktimit të Arbitrave. Në dy pozicionet e fundit, Kastrati do të paguhet me rrogë, pasi do të punojë brenda aparatit të FSHF-së, por një gjë e tillë është e ndaluar nga Statuti për një anëtar të Komitetit Ekzekutiv. Kjo është pranuar nën zë edhe nga zyrtarë të Federatës, që kanë ngritur supet për propozimin e bërë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›