E Shtunë, 31 Tetor 2026

UP me buxhet të njëjtë duhet të paguajë rritjen e pagave

Nga buxheti i Kosovës, për këtë vit, Universitetit të Prishtinës i janë ndarë rreth 15 milionë euro, prej të cilit mbulohen rreth 60% e pagave të stafit të Universitetit. Zyrtarë të Rektoratit, thonë se pjesa tjetër e pagave duhet të sigurohet nga të hyrat vetjake. Nga Express më 17 prill 2011 në ora 19:50

Buxheti total i Universitetit të Prishtinës për këtë vit është paraparë të jetë rreth 25 milionë euro. Prorektori për Burime dhe infrastrukturë në Universitetin e Prishtinës, Enver Kutllovci, tha për Radio Kosovën, se edhe për këtë vit janë ndarë mjete po aq sa edhe vitin e kaluar.

Ai tha se karakteristike për buxhetin e këtij viti është se ka një rënie në kategorinë e pagave.

“Krahasuar me vitin e kaluar, vjet kemi pas 10 milionë e 90 mijë euro në kategorinë e pagave nga buxheti i Kosovës, këtë vit i kemi 9 milionë e 617 mijë euro, që nëse bëhet një analizë është rreth 400 mijë euro më pak në këtë kategori”, sqaron Kutllovci.

Prorektori tha se buxhetit prej rreth 15 milionë eurove, është paraparë që t’i shtohen edhe rreth 9 milionë euro nga të hyrat vetjake. Sipas Kutllovcit, sa i përket rritjes së pagave për shërbyesit civil prej 30%, Universiteti në këtë rast është dëmtuar, pasi rritja e pagave për këtë kategori duhet të planifikohet nga buxheti vetjak.

“Nëse e kemi këtë pjesën e shërbyesve civil që është 30% rritje, ne nuk kemi asnjë cent të paraparë si rritje të buxhetit për këtë kategori. Do të thotë edhe një herë i bie njëfarë dëmi i dyfishtë për arsye se edhe ka rritje, por rritjen nuk e jep shteti por thotë jepini prej parave tuaja”, thotë Kutllovci.

Prorektori Kutllovci, tha se do të mundohen të bëjnë një menaxhim të mirë, në mënyrë që të mund të arrihet mbulimi i shpenzimeve vjetore me buxhetin e paraparë për këtë vit. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›