E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mund ta lë Kosovën

Në Olimpiadën ‘Londra 2012’, Majlinda Kelmendi mund ta përfaqësojë ndonjë shtet tjetër, nëse nuk përkrahet financiarisht nga institucionet e Kosovës. Majlindës dhe trajnerit të saj Driton Kuka, Azerbajxhani tashmë u ka bërë ofertë. Nga Express më 19 janar 2011 në ora 12:40

Majlinda Kelmendi është në rrugë të mirë që t’i fitojë pikët e duhura olimpike për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike ‘Londa 2012’.

Por , trajneri i saj, Driton Kuka ka paralajmëruar se xhudistja kosovare në Londër mund ta përfaqësojë ndonjë shtet tjetër, nëse institucionet e Kosovës nuk ia sigurojnë një buxhet për programin olimpik të saj.

Ai ka kujtuar se Kelmendi po përballet me mungesë të madhe të mjeteve financiare për t’u përgatitur si duhet, derisa fillimi i Lojërave Olimpike po ofrohet. Sipas tij, nga kjo situatë po mundohen të përfitojnë shtete tjera, të cilat po i ofrojnë Kelmendit nënshtetësi përkatëse, duke e stimuluar atë në mënyra të ndryshme.

“Në Baku të Azerbajxhanit jemi takuar me ministrin e këtij shteti me kërkesën e tij, i cili Majlindës dhe mua na ka ofruar nënshtetësinë e këtij vendi. Oferta është shumë joshëse për të dy, duke na u ofruar rreth 10 mijë euro pagë mujore, si dhe për programin olimpik na janë ofruar rreth 100 mijë euro për një vit. Kurse, shpërblimet për medalje olimpike janë rreth 1 milion euro, ndërsa për medaljen e artë olimpike 2 milionë euro”, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga trajneri i Kelmendit, Driton Kuka.

Ai ka sqaruar se kjo ofertë i është bërë personalisht atij në prani të kryetarit të Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer.

Por, ai thotë se dëshira e tij dhe e Kelmendit është që në Londër ta përfaqësojnë Kosovën, andaj, sipas Kukës, edhe shteti ynë duhet t’u ofrojë kushte për një përfaqësim sa më të mirë në Olimpiadë.

“Nëse kjo nuk realizohet, ne do t’u drejtohemi mediave në një konferencë për shtypë dhe do të jemi shumë më konkret se çka do të bëjmë tutje”, ka shtuar ai.

Mllefi në ‘kampin’ e Kelmendit duket se ka shpërthyer, pasi Ministria e Sportit kishte refuzuar kërkesën për ta mbështetur financiarisht programin e saj olimpik. Ministria e Sportit deri më tani ka qenë sponsoruesi kryesor i të gjitha aktiviteteve të 19 vjeçares, derisa tani topin ia ka hedhur Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

“Departamenti i sportit ka përkrah çdo garë dhe përgatitje për Majlindën në vitin e kaluar, por në bisedat e fundit me kompetentët ata e kanë drejtuar gishtin kah KOK-u. Tani jemi duke e përgatitur kërkesën, të cilën do ta dërgoj në adresën e kryetarit të KOK-ut”, ka shpjeguar Kuka, i cili njëherësh është anëtar i bordit të KOK-ut.

Ai ka kërcënuar se do të jep dorëheqje nga kjo pozitë që mban në KOK, nëse ky institucion nuk ia siguron Kelmendit një buxhet të ndarë për ta realizuar programin e saj olimpik. Kuka ka tërhequr vërejtjen se edhe KOK-ut do t’i humb arsyeja e të ekzistuarit nëse nuk i përgjigjet pozitivisht kërkesës së tij.

Përparon Majlinda

Majlinda Kelmendi është ngjitur për tre vende në ranglistës botërore olimpike. Xhudistja kosovare tani renditet e katërmbëdhjetë në këtë ranglistës derisa ky është plasmani më i mirë në karrierën e saj.
Ajo aktualisht është sportistja e vetme kosovare që ka arritur normën olimpike dhe nëse e ruan këtë pozicion deri në fillim të Olimpiadës ‘Londra 2012’, atëherë ajo do të jetë bartëse e ndonjërit grup dhe gjasat do të rriteshin për një plasman sa më të lartë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›