Mungesa e LSI në zgjedhjen e KLD, Marku: Kërcënim luajal

Duket se zgjedhja e anëtarit të ri të KLD-së nuk krisi vetëm marrëdhëniet mazhorancë-opozitë, por në fakt ishte një sinjal i fortë për kërcitje mes koalicionit të së djathtës. Mungesa e tre përfaqësuesve të LSI-së në votim, terësisht i karakterit politik, shihet si një veprim kërcënues ndaj së djathtës. Këtë gjykim ka dhënë për RTV Ora News deputeti i PD-së Mark Marku, i cili e cilëson një veprim jokorrekt dhe joluajal, në kushtet e mungesës së një pike reference. Por sipas tij edhe në të tilla kushte PD e provoi veten dhe vërtetoi se është në gjendje të bëjë manovrime brenda përbrenda koalicionit.
“U vendos votimi me elektronikë pasi me kuti nuk u realizua dot për shkak të socialistëve që kërkuan ndryshim procedure. Edhe ai elektronik është i fshehtë, kështu që s`ka pse të diskutohet. Ata kishin një plan të mirëpregaditur dhe në pamundësi të zbatimit, pastaj ka dhe ligjërime të tilla. Tre përfaqësuesit e LSI nuk morën pjesë në votim , i cili ishte një votim i karakterit politik, kjo ishte ngjarja, asgjë tjetër. Për një votim të tillë politik mund të bëhej dhe votim i hapur. Për LSI ishte një lojë politike, e natyrshme për koalicionet. LSI ka dashur të tregojë njëfarë force, por ka vepruar në mënyrë joluajale, ishte një veprim kërcënues për sa kohë nuk ka pasur mospërputhje.Unë mendoj që ky është një sinjal. Edhe brenda një force politike ka të tilla lojëra, kjo është një lojë brënda koalicionit por ska arsye për një krizë politike. PD e ka testuar forcën dhe brenda përbrenda koalicionit ne kemi mundësi për të manovruar, në këtë fazë PD luan në mënyrë më komode.Cdo force politike i lind e drejta për të bërë manovrime” tha ai.
Por për Markun një tentativë provimi force u tregua dhe nga vetë opozita dhe lideri i saj Edi Rama, që sipas tij ishte një test në kohën e gabuar . Më tej ai thekson se ishte një humbje e radhës nga ana e tyre dhe mospranim i saj, moment që u përket atyre dhe ska pse të jetë katastrofë politike.
“Taktikisht është vepruar gabim nga Rama, e testoi forcën e tij në një moment jo të duhur. Mbajti fjalimin e tij që do duhej të mbante nëse plani i tij do të kishte sukses. Për inerci ata mbajtën fjalime të planifikuara për fitoren. Vazhdimisht tenton të fitojë, vazhdimisht humbet, dhe më e keqja nuk e pranon humbjen. Ata nuk duhet të propozonin fare kandidaturë, i takonte mazhorancës. Është një humbje e tyre dhe skanë pse ta shndërrojnë në një katastrofë politike”shtoi Marku.
Duke mbetur në testin e numrave në Kuvend, Marku shprehet se ky proces shërbeu dhe për parandalimin e një aventure të radhës nga e majta në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale, duke shprehur siguri të plotë për zgjedhjen e tij vetëm me votat e së djathtës. Evetmja cështje që mund të marrë një goditje nga e gjithë kjo komedi, është marrja e statusit të vendit kandidat, i cili kërkon absolutisht qëndrueshmëri politike, por sipas Markut nëse kjo ndodh do të jetë pikërisht PS që do të japë llogari përpara qytetarëve.
“Për zgjedhjen e Presidentit duhet ti referohemi Kushtetutës, të ndryshuar me konsensus të dy palëve për të mos pasur krizë. Ishte një provë që ata të mos ndërmarrin një aventurë tjetër, presidentin PD e ka zgjedhur edhe kur ka pasur 6 vota më pak, pse nuk mund ta zgjedhim kur kemi numrat. Sido qëtë jetë ne jemi të fituar. Vetë opozita ska arsye pse të ketë krizë, jemi në fund të mandatit qeverisës, është mirë të ketë një periudhë të qetë zgjedhjesh, tensionimin e provoi në 21 janarin, dështoi. Ajo që mund të humbim është statusi. Kemi shumë mundësi ta marrim nëse kemi periudhë stabiliteti politik. Opozita ka dëmtuar mjaft me 2 vite bojkotim të Parlamentit, ka ca lëvizje të cuditshme në opozitë, nuk ka qëndrueshmëri në të. Por nëse kjo ndodh, do të jenë pikërisht ata që do japin llogari para qytetarëve”përfundoi Marku.