Berisha: Arritje madhore për sportin shqiptar

Erkand Qerimaj
Kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, ka shprehur urimet më të përzemërta për Erkand Qerimajn si dhe për të gjithë ekipin për suksesin e arritur duke e cilësuar rekordin evropian të shënuar si një arritje madhore për gjithë sportin shqiptar.
Mesazhi i plotë i Berishës;
“Zoti Esat, urimet më të përzemërta për ty dhe Erkandin dhe të gjithë ekipin për suksesin e shkëlqyer që arritët. Rekordi europian që shënuat është arritje madhore për ju, Erkandin dhe peshëngritjen e sportin shqiptar. Ju lumtë dhe gjithmonë suksese.
Erkand Qerimaj u shpall mbrëmë Kampion i Europës në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Antalia të Turqisë. Shqiptari 24-vjeçar, i drejtuar nga trajneri Zef Kovaçi, ngriti 348 kg në dygarësh, duke zënë vendin e parë dhe duke marrë medaljen e artë në peshën deri në 77 kg. Qerimaj ngriti 190 kg në stilin e shtytjes, duke vulosur titullin, ndërsa mori medaljen e arit edhe në këtë stil. Në stilin e parë, atë të shkëputjes, shkodrani ngriti 158 kg, duke zënë vendin e dytë dhe duke marrë medaljen e argjendit.
Në një komunikim telefonike për Vizion Plus, Erkand Qerimaj apeloi qeverinë dhe të gjithë aktorët e tjërë që të ishin më të vëmendshëm nga sportistëve dhe veçanërisht ndaj medaljeve.