E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungoi ilaçi, QSUT: Ik pyet Berishën! Nëna: Fjalët e fundit që më tha im bir

TIRANE-Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka reaguar në lidhje me vdekjen e vogëlushit 11-vjeçar Denis Almadhi në sallën e operacionit. Në një dalje për media, nëndrejtori i QSUT-së, Besim Boçi, njëkohësisht dhe mjek kirurg ka dhënë shpjegimin për atë çka ka ndodhur gjatë ndërhyrjes. Ndërkohë që, i pyetur nga "Gazeta Shqiptare" në lidhje me mungesën e ilaçit "Dantrolene", i cili sipas specialistëve mund t'i kishte shpëtuar jetën 11-vjeçarit, Boçi na sugjeron që në lidhje me këtë të pyesim kryeministrin e vendit, Sali Berisha...
Doktor, çfarë ka ndodhur në sallën e operacionit, ku humbi jetën 11-vjeçari Denis Almadhi?
Para dy ditësh, pranë spitalit francez, pranë Shërbimit të Okulistikës dhe Maksilofacialit ka ndodhur një ngjarje normale për mjekët, por jo e këndshme për familjarët. Një fëmijë është futur në sallën e ndërhyrjes kirurgjikale nga një ekip mjekësh irlandezë në bashkëpunim me mjekët shqiptarë. U bënë ekzaminimet e duhura përpara ndërhyrjes kirurgjikale, është futur në sallën e operacionit për t'iu nënshtruar një ndërhyrjeje të tretë, pasi më përpara ka bërë dy ndërhyrje të tjera me të njëjtin ekip mjekësh. Gati në mes të ndërhyrjes ose afër përfundimit të saj, fëmija ka bërë një ndërlikim, ka bërë një temperaturë shumë të lartë, rreth 42-43 gradë Celsius, e njohur me termin hipertermi malinje. Natyrisht që të dyja ekipet kanë bërë të pamundurën për ta shmangur këtë ndërlikim dhe pasojat e tij me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion dhe më pas e kanë çuar në reanimacionin e pediatrisë, por fatkeqësisht fëmija nuk arriti që të mbijetojë. Nga literatura dhe nga ajo që thonë mjekët specialistë, njihen ndërlikime të tilla në fëmijë me anomali të lindura. Natyrisht që mjekët kanë respektuar të gjitha procedurat dhe kanë mbushur kartelën klinike, e cila përpara ndërhyrjes është firmosur nga familjarët për të gjitha ndërlikimet që do ndodhin gjatë ndërhyrjes dhe pas saj. (Intervista e plote tek Gazeta Shqiptare)

NËNA: FJALËT E FUNDIT QË MË THA IM BIR
Mos kini frikë, se unë do jem në gjumë atje". Këto kanë qenë fjalët, që nëna e 11-vjeçarit, Shehe Almadhi kujton nga momenti i fundit që ajo e ka parë Denisin gjallë. Nëna e Denisit është personi që është prekur më shumë nga të gjithë nga vdekja e djalit të saj dhe për të kjo dhimbje do të zgjasë për gjithë jetën. Në një intervistë për "GSH" ajo rrëfen se do të rrinte edhe në rrugë, vetëm që koha të kthehej mbrapsht dhe ajo të mund të ishte sërish me djalin e saj të vogël, Denisin, mungesa e të cilit tashmë ndihet nga e gjithë familja. "Më hahet bukë", ka thënë Denisi para se të futej në sallën e operimit. "Ta dija kështu, nuk do e operoja kurrë", - thotë nëna e tij, Shehe Almadhi. Në rrëfimin e saj, përmes lotëve dhe dhimbjes, Shehja pohon se djali i saj fyhej nga shokët për shkak të problemeve që kishte me kapakët, prandaj vendosën ta operonin. "Djali, jam e sigurt se ka vdekur që gjatë operimit, sepse kur hyra dhe e preka më vonë, ai ishte bërë akull", - janë fjalët e nënës së Denisit për "GSH".
Sa orë zgjati operacioni i djalit tuaj dhe a mund të na thoni se si e morët vesh për vdekjen e tij?
Operacioni ka zgjatur plot pesë orë. Djali është futur në sallën e operimit në orën 13:10 minuta dhe neve na kanë lajmëruar në orën 18:00. Madje mjekët nuk erdhën as të na lajmëronin. Por, dëgjuam një pacient që po thoshte se fëmija që ishte në sallën e operacionit kishte probleme. Aty filluam që të kuptonim se diçka po ndodhte. Në fakt, ne kishim filluar të dyshonim se kishte diçka që nuk shkonte, përderisa po vonoheshin aq shumë. Por në fillim nuk lëvizëm që nga salla e pritjes, sepse mjekët na dhanë siguri të plotë. Më vonë, një infermiere na është afruar dhe na ka thënë: "Juve jeni prindërit e atij djalit që po operohet?". "Po", - i thamë ne. "A ju kanë thënë që djali juaj ka probleme?", - na tha infermierja. Aty e kuptuam që diçka nuk shkonte vërtet dhe u ngritëm të kërkonim mjekun. Pamë infermierët që flisnin me mjekun dhe aty u tremba, sepse një nga infermierët kishte vënë duart në kokë. Na morën më qafë. Çfarëdo që të bëhet, neve nuk na e kthejnë më djalin...
Cilat janë dyshimet tuaja për ngjarjen?
Unë jam e sigurt që mjekët na kanë gënjyer, sepse jam e sigurt që djali ka vdekur që në sallën e operimit, para se ta kalonin në dhomën e reanimacionit. Për këtë jam e sigurt, sepse kur na thanë që djali kishte probleme, unë u futa në sallë dhe i preka trupin djalit tim, ai ishte i ftohtë. Por mjekët na thanë që vdiq më vonë, vetëm për të mbuluar veten e tyre. Më morën dritën e syve.
Çfarë ju thanë pasi djali juaj kishte ndërruar jetë?
Mjekët na thanë që i kishte bërë reaksion narkoza dhe se nuk ishte gjetur një ilaç që të shpëtonte djalin im. Na thanë që ilaçi ishte porositur jashtë vendit dhe vinte në orën 9 të darkës, ndërkohë që djali im kishte tri orë pa jetë në sallën e operacionit. Ne i bëmë analizat edhe para operacionit dhe na thanë që nuk ka asnjë problem. Por më vonë mjekët na thanë, që edhe gjatë operacionit Denisit i është ulur ritmi i zemrës dy herë dhe mjekët janë munduar ta kthejnë dy herë në jetë.
E patë djalin tuaj pas operacionit?
Po, jam futur e kam parë djalin dhe vura re që në trup kishte njolla të zeza. Nuk e kuptoj! Të marrësh përsipër një operacion plastik dhe në fund të ndodhë kjo që na ndodhi neve; as vetë nuk di ta shpjegoj se si ndihem. Prandaj, ne kërkojmë që vetëm të gjendet e vërteta.
Si u lidhët me mjekët irlandezë dhe pse vendosët ta operonit djalin? Kishte probleme me shikimin?
Jo, nuk ka pasur probleme me shikimin asnjëherë. Por ne e kishim si me merak, se djalin na e shanin fëmijët e tjerë për shkak të kapakëve të mbyllur dhe ne vendosëm që ta operonim, se nuk donim që djali të vuante. Por nuk na e mori mendja se do sillte probleme të tilla. Me mjekët irlandezë jemi njohur përmes projektit të Telemjekësisë. Ata na morën në telefon dhe na thanë që do ta merrnin përsipër që ta operonin.
Cili është momenti i fundit që ju mbani mend nga djali juaj?
Mbaj mend që ditën e operacionit ai ishte i gëzuar dhe hyri me qejf në operacion. "S'ka gjë mami, mos u mërzit, se unë s'kam frikë, se atje në gjumë do jem", më tha para operacionit. Para se të futej në sallën e operimit, Denisi më tha: "Më hahet bukë". "Pas operacionit", i thashë. Akoma s'e besoj që Denisi im nuk është më. Do rrija në rrugë, vetëm që ta ktheja kohën pas.

(d.b/OlaMitre/AuroraKoromani/BalkanWeb) Lidhje te tjera '11-vjeçari', shfajësohen mjekët: Vdiq nga hipertermia VIDEO-Mjeku irlandez: Denis Alimadhi vdiq nga hipertermia VIDEO-Vdekja e 11-vjecarit, familjarët: drejtësia të zbardhë të vërtetën

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›