Mungoi në stërvitje, Adriano rrezikon 150 mijë euro gjobë
MILANO- Vit i ri, probleme të vjetra. Adriano ka braktisur stërvitjen e parë të vitit me Interin. Braziliani nuk është kthyer në Milano si brazilianët e tjerë, Julio Cesar dhe Mancini. Ai mbërriti në Malpensa vetëm në orën 20.00 të së premtes, i pritur nga mjeku Franco Combi, i cili do të thotë fjalën e tij nëse ai është gati t’i kthehet fushës së lojës.
Por vonesa e Adrianos duket se nuk do të kalojë pa probleme. Mourinho kishte deklaruar në një intervistë se braziliani ishte një emër shumë i rëndësishëm për strëvitjen e parë në vitin 2009. “Për të shtunën i pres të gjithë, përvec Maicon”- ka thënë ai. Kjo mungesë rrezikon ti kushtojë shtrenjtë futbollistit: 150 mijë euro, një gjobë që mendohet se do të vendoset për t’i dhënë një sinjal të qartë brazilianit të shpërqendruar.
Adriano kishte pasur disa ditë më shumë pushimi se shokët e tij, justifikuar nga problemi muskulor që kishte.