Vonohen autobusët, shtyhet nisja e trageteve
Durrës- Mbi 17 autobusë me kosovarë të nisur nga Kosova kanë pasur shumë vështirësi për të mbërritur në Durrës, për shkak të kushteve të këqija të motit dhe borës së rënë. Për pasojë, në port tragetet janë nisur me vonesë nga mosmbërritja në kohë e emigrantëve kosovarë, por edhe nën ndikimin e kushteve që këqija të motit. Rreth 1600 pasagjerë të mbrëmjes janë nisur me 5 orë vonesë nga porti për shkak të kohës së keqe, që e ka bërë detin të palundueshëm. Tragetet e darkës në vend të niseshin në orën 11.00 janë nisur në 05.00 të mëngjesit në drejtim të Barit.
Pasagjerët kosovarë kanë njoftuar autoritetet portuale dhe kufitare për vonesën dhe i kanë kërkuar drejtuesve të trageteve të shtyjnë për disa orë lundrimin drejt Barit.
Burimet thanë se kushtet detare janë të mira dhe gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe pesë tragete të tjerë nga porti i Barit, dy prej të cilëve do të nisen menjëherë drejt portit italian.
Mbi 15 mijë udhëtarë janë nisur gjatë ditëve të para të janarit nga Durrësi drejt porteve italiane të Barit, Ankonës dhe Triestes.