E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes emigranti, plagosen babë e bijë në aksident

Gjirokastër- Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur kur makinat me të cilat udhëtonin janë përpasur mes tyre. Aksidenti ndodhi pak minuta më parë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e njohur me emrin Kthesa e Picarit. Sipas burimeve policore në aksident janë përfshirë dy automjete.

“Nga përplasja ka humbur jetën shtetasi Naim Cufka, 28-vjeç nga Roskoveci i Fierit, i cili udhëtonte në drejtim të kakavijës për të kalur më pas në Greqi”- thonë burimet e policisë, duke shtuar se ai ka qenë emigrant dhe pasi kishte kaluar festat pranë familjes kthehej në vendin e punës në Greqi.

Ndërkohë dy shtetas të tjerë, që udhëtonin me një makinë me targa të Vlorës, 5130B kanë mbetur të plagosur nga përplasja me makinën e drejtuar nga emigranti.

Sipas të dhënave të para të policisë, ata janë babë e bijë, 52 dhe 22-vjeç, identitetet e të cilëve nuk bëhen ende të ditur.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar për të zbuluar shkaqet e aksidentit, kurse të dëmtuarit janë transportuar me urgjencë për në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›