E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë ekspertët, shtyhet gjyqi i Bollanos

Vlorë- Mungesa e një prej ekspertëve që do të rillogarisin dëmin e shkaktuar nga heqja e tabelave në akset rrugore Llogora-Palasë ka bërë që seanca e sotme në ngarkim të kryetarit të bashkisë së Himarës Vasil Bollano të shtyhet sërish.

Në seancë ka qenë eksperti i ri kontabël, por nuk është paraqitur Luiza Bala, ekspertja tjetër e caktuar nga Gjykata e Vlorës në çështjen në ngarkim të Bollanos.

Në seancën e mëparshme është vendosur një akt i ri ekspertimi, i cili do të shërbejë si provë te trupi gjykues. Për këtë u caktuan një grup ekspertësh në rillogaritjen e dëmit të shkaktuar nga heqja e tabelave.

Sot dy ekspertët e rinj, sipas rregullores, duhet të bënin betimin, por një gjë e tillë nuk është realizuar dhe për pasojë nuk është zhvilluar fare seanca.

Kryetari i bashkisë, Bollano është i akuzuar për shpërdorim detyre për urdhërimin e heqjes së tabelave orientuese dhe treguesve të pikave turistike përgjatë akseve rrugor në bregdet. Vetë Bollano nuk është paraqitur asnjëherë në seancat në ngarkim të tij, ku e radhës do të jetë ajo e datës 13 tetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›