E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë reshjet, KESH në vështirësi

Emirjon Senja

Z. Zeqo, prej disa muajsh në vend kanë munguar reshjet e shiut që janë të domosdoshme për mbushjet e baseneve të HEC-eve në vend, përjashto këto dy ditët e fundit. Mund të na jepni një panoramë të situatës në HEC-et e kaskadës së drinit në lidhje me prurjet, kuotën dhe prodhimin e energjisë për momentin që flasim?

Mungesa e reshjeve është një gjë që vihet re aq më tepër prej KESH-it pasi ky vit përllogaritet si një ndër vitet me prurjet më të ulta nëse marrim mesataren e viteve të fundit. Gjatë gjithë pjesës së dimrit të këtij viti, por edhe pranverës, prurjet kanë qenë nën mesatare. Sigurisht, që kjo sjell vështirësi në drejtim të prodhimit. Nëse shohim nivelin e prodhimit vërejmë që ai është përkeqësuar në raport me vitin e kaluar për shkak se gjatë 2010 kishte prurje të mëdha.

Gjithsesi në mendojmë të arrijmë prodhimin mesatar 4.1 deri 4.2 miliardë kë në vit. Vlen për tu theksuar se është rritur shumë kërkesa për energji. Për të ruajtur garantimin e furnizimit dhe rendimentin e prodhimit si dhe kuotat e favorshme në Fierzë, kemi filluar importin nga muaji maj me mesatarisht 100-150 megavat në ditë, e cila nëse krahasohet me pjesën e konsumit, përllogaritet që konsumi gjatë kësaj periudhë ka qenë 18-19 milionë kilovat në ditë. Prodhojmë rreth 10-11 milionë kilovat, pasi pjesën tjetër e importon CEZ-i për të mbuluar humbjet. Gjatë kësaj periudhe kemi importuar deri në 30 për qind të sasisë së energjisë.

Konkretisht, sa është kuota e Fierzës sot ?

Në këto ditë që flasim, në Fierzë kemi një kuotë rreth 270 metra, nisur edhe se ajo luan rolin e magazinimit. Përjashtuar dy ditët e fundit që ka një rritje disi, deri më tani prurjet kanë qenë në nivelin 20-30 metër kub, dmth shumë të ulta krahasuar me periudhat e mëparshme.

Si e vlerësoni këtë kuotë tani që jemi thuajse në gjysmën e tetorit?

Duhet të pranojmë faktin që kuota 270 metra në tetor është optimale, pasi tani priten shirat. Kjo tregon që është bërë një shfrytëzim optimal i kësaj kaskadë. Është shfrytëzuar gjithë rezerva dhe është krijuar hapësira për të akumuluar nëse ka shira. Nëse do të kemi reshje normale mund të themi që jemi mirë, por është edhe frika tjetër që mund të jetë edhe një vit i thatë duke na vënë në vështirësi të mëdha, pasi do na duhet ta sigurojmë pjesën më të madhe të energjisë nga importi.

Sa është kuota minimale me të cilën mund të prodhojë energji Fierza?

Fierza është shfrytëzuar në vitet më të këqija, 1999 apo 2001 deri në 242 metra. Por duhet të kemi parasysh që poshtë kuotës 265 metra bie shumë rendimenti prandaj them që kuota 270 metra është optimale në këtë periudhë.

Ju keni bërë një lloj kursimi gjatë kësaj periudhë….

Sigurisht, prandaj kemi importuar.

Sa janë shpenzuar për import deri më tani?

Janë shpenzuar përafërsisht tek rreth 25 milionë euro.

Z. Zeqo, si e shihni vendimin për ndarjen nga KESH-i me qëllim privatizimin të katër HEC-eve, si Bistrica 1 dhe 2,  Ulza dhe Shkopeti, në raport me të ardhurat në arkën e KESH, por nisur edhe nga fakti që Bistricë përshembull sapo ka mbaruar një investim disa milionë euro?

Kjo është politikë e qeverisë. Ne administrojmë KESH-in dhe qeveria ka politikat e saj. Për sa i përket pjesës që Bistrica është rehabilituar unë them që ajo i rrit kapitalin dhe sigurisht që në privatizim shkon me vlerë më të madhe.

Do ju mungojë kjo energjia e prodhuar prej këtyre HEC-eve juve si KESH?

KESH, duke patur më pak njësi gjeneruese do të thotë që do të na mungojë. Prodhimi i tyre në vite të mira është rreth 300 milionë kilovat. Ne kemi kaskadën e drinit që është më kryesorja dhe mund të them që prodhimi i këtyre HEC-eve zë rreth 6-7 për qind të prodhimit vendas. Kemi detyrë që të menaxhojmë këtë kaskadë që është prodhuesi kryesor.

Po në raport me të ardhurat, nëse do e kishit këtë energji, sa të ardhura do të përfitonte KESH-i brenda një viti?

Nëse e marrim me çmimin aktual, dmth me 10 euro për megavat, përllogaritet diku tek 3 milionë euro që do ti mungojnë KESH-it.

Në dhjetor, ERE pritet të marrë në shqyrtim aplikimet e tre kompanive, CEZ Shpërndarja, KESH dhe OST në lidhje me çmimet e reja të energjisë për vitin e ardhshëm, çfarë prisni nga ky vendim, nisur edhe nga fakti që kërkesa juaj për rritje është rreth 200 %?

Ne kemi bërë një aplikim, të bazuar mbi një metodologji të miratuar nga ERE. Nuk është se kemi kërkuar një çmim apriori. Kemi kërkuar një rritje rreth 5 lekë për kilovat, ndërkohë që tani është 1.48 lekë. Është Bordi i Komisionerëve të ERE-s që do ta marrë në shqyrtim atë dhe unë besoj në profesionalizmin e tyre. Ne kemi kundërshtuar çmimin e vjetshëm (ERE uli çmimin që KESH ia shet energjinë CEZ-it duke shkaktuar kompanisë shtetërore miliona euro humbje shen.red). mund të duket një kërkesë e lartë pasi në radhë të parë duhet kompensuar dëmi i shkaktuar këtë vit, siç e ka edhe rregullorja, për shkak të uljes që iu bë vitin e parë, pasi ne thamë atëherë që smund të bëhet vlerësimi mbi rezultatet e një viti prodhimi sepse mund të vijë një vit i thatë dhe ju e shihni si është situata tani. Pjesa tjetër i mbetet ERE-s.

Metodologjia e ka formatin e qartë dhe ne vetëm kemi vendosur të dhënat në të dhe ka dalë kjo shifër. Nëse do ishte miratuar kërkesa e një viti më parë, këtë vit ajo nuk do të ishte kaq e lartë. Shkak tjetër për këtë kërkesë është edhe fakti që CEZ Shpërndarja ka kërkuar këtë vit (2012) rreth 35 % më tepër energji. Dhe e gjithë kjo shtesë do të mbulohet nëpërmjet importit.

Shitja e katër HEC-eve, tenderi hapet në janar

Qeveria nuk humb kohë në procedurat e shitjes së katër HEC-eve, Bistrica 1 dhe 2,  Ulzës dhe Shkopetit. Ekzekutivi ka nisur procedurat për zhvillimin e tenderit, menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndarjen e tyre nga KESH-,. Burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës konfirmojnë përfundimin e konsulencës nga IFC-ja (Korporata Financiare Ndërkombëtare) për përcaktimin e dokumentacionit dhe përgatitjen e procedurave deri në zhvillimin e tenderit. Mësohet se faza e parë ka përfunduar më datë 7 tetor, ndërkohë që METE dhe IFC do të punojnë sëbashku për përcaktimin e çmimit fillestar të pranimit të ofertave. Një gjë e tillë do të nxirret pas shqyrtimit të të dhënave teknike të HEC-eve, procedura të cilat pritet të zgjasin të paktën tre muaj. Menjëherë pas kësaj, do të përcaktohet edhe çmimi fillestar, ndërsa tenderi pritet të hapet në janar të vitit 2012. Aktualisht, autoritetet nuk kanë të dhëna paraprake mbi faktin se se para mund të mbledhin nga këto privatizime.

Megjithatë, vlerësimi i të dhënave të ofruara në relacionin e ligjit për ndarjen e tyre nga KESH-i, i miratuar gjatë kësaj vere pasqyron vlerën reale të tyre. Mësohet se vetëm gjatë vitit të shkuar, këto HEC-e të marra sëbashku kanë prodhuar 443 milionë kilovat energji elektrike. E shumëzuar me çmimet e miratuara nga ERE për një kilovat energji të prodhuar nga HEC-et në vend, përllogaritet që minimalisht vlera totale e energjisë së prodhuar nga këto HEC-e gjatë vitit të shkuar të jetë rreth 655 milionë lekë. Vlera në fjalë është përllogaritur sipas tabelës së miratuar nga ERE për vitin 2011, sikur energjia të jetë shitur me çmimet e KESH-it. Ky i fundit, si furnizues me shumicë e shet energjinë shumë më lirë se sa HEC-et private

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›