E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon avokati, shtyhet vendimi për "Bandën e Durrësit"

TIRANE - Shtyhet seanca gjyqësore ndaj ‘Bandës së Durrësit’, kur priteshin konkluzionet e mbrojtjes dhe vendimi për të pandehurit e akuzuar si anëtarë të kësaj bande. Seanca gjyqësore u shty për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve mbrojtës.

Vangjel Muzina, avokati i të pandehurit Selman Heti, për të tretën herë rradhazi nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, duke njoftuar gjykatën se mungon për arsye shëndetësore. Ndërkaq, sipas Prokurorisë mosparaqitja në seancë e avokatit Muzina, është e qëllimshme duke cuar kështu në skadimin e afateve të paraburgimit. Për seancën e sotme ishin marrë masa të larta sigurie, pasi pritej që të shpallej vendimi përfundimtar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me “burg për jetë” për Lulzim Berishën dhe Endrit Doklen, të cilësuar si drejtues të bandës. Gjtihashtu kërkoi dënim me burg për jetë dhe për Plaurent Dervishaj e Indrit Taullai dhe 25 vjetburg për Sardian Sulejmanin, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvis Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti dhe Spartak Kalthi.

Masa më lehta dënimi prokuroria ka kërkuar për Altin Nikolla, dhe Kristian Begu. Ndaj dy të pandehurve u kërkua dënimi me 20 vjet burg.Ndërkohë që për 2 kosovarët e shpallur në kërkim dhe nuk janë arrestuar asnjëherë nga drejtësia shqiptare, Osman Korpuzi dhe Ahmet Ajeti, është kërkuar 21 vjet burg në mungesë.

Nga kërkesa për dënim “burg përjetë”, ka shpëtuar Adriatik Coli, i penduari i drejtësisë. Për shkak të kontributit që Coli ka dhënë për zbardhjen e krimeve të kryera nga 1998- 2005, nga ish miqtë e tij, prokurori kërkoi reduktimin e dënimit të Colit nga “burg për jetë” në 10 vite burg.

Të pandehurit e "Bandës së Durrësit" akuzohen për të paktën 7 vrasje, 2 plagosje, mbajtjen peng të një dëshmitareje, si dhe disa atentate.
Banda dyshohet të ketë vepruar që nga viti 1998 deri në 2005, në qytetin e Durrësit. Fillimisht vepronte si një e vetme, por për shkak të prishjes së pazareve u nda në dy fraksione. Hakmarrja e ashpër mes grupeve rivale shkaktoi dhjetëra viktima. Lulzim Berisha u arrestua në 2006 në Maqedoni.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›