E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon mjeku reanimator, asnjë operacion në spitalin e Burrelit

BURREL/ Të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale transferohen për në spitalin e Lezhës. Këshilli Bashkiak, letër Kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë


BURREL - Mungesa e mjekut reanimator në spitalin e Burrelit ka bërë që aty të mos kryhet asnjë operacion. Përgjatë kësaj kohe, bëhet e ditur se të paktën 8 gra të rrethit të Matit kanë udhëtuar drejt spitalit të Lezhës për të lindur, pasi mjekët gjinekologë e kanë të pamundur të ndërhyjnë në rast operacioni.


Po për mungesë të mjekut reanimator në këtë spital, salla e kirurgjisë nuk i hap dyert e saj as për operacionin më të thjeshtë. Banorët e kësaj krahine me rreth 70 mijë banorë shprehen të shqetësuar për këtë largim masiv të mjekëve duke fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë se nuk ka emëruar mjekët e nevojshëm dhe po lejon të tjerë të transferohen për në spitale të tjera.


Edhe drejtuesit e spitalit janë në sintoni me këtë shqetësim të banorëve, pasi sipas tyre, edhe pse nuk japin leje për t'u larguar mjekët nga ky spital, ata i marrin lejet çuditërisht në Ministri pa i pyetur askush për nevojat që ka ky spital për mjekë të specialiteteve të ndrsyshme.


Ndërkohë, një ditë më pare, edhe Këshilli Bashkiak protestoi ashpër kundër largimit të spitalit të Burrelit drejt Dibrës, sikurse është projektuar në reformën e Ministrisë së Shëndetësisë.


Këshilltarët e të gjithë krahëve politikë shprehën shqetësimin se zvogëlimi i shtretërve nga Ministria e Shëndetësisë, përqendrimi i shërbimit në spitalet rajonale dhe largimi i mjekëve specialistë po çojnë në mbylljen e spitalit lokal Burrel, duke krijuar shqetësime të jashtëzakonshme në shërbimin shëndetësor ndaj 70 mijë qytetarëve matjanë në qytete dhe në zona të thella.


Këshilltarët Luftim Vani, Adelina Farrici, Nazmi Mallunxa, Ibrahim Përlesha e të tjerë kërkuan sqarime nga drejtuesit vendorë si qëndron e vërteta e transferimit të spitaleve lokale dhe përqendrimi i tyre në shkallë qarku.


Ata këmbëngulën dhe i dërguan një letër kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili ku kërkojnë marrjen e të gjitha masave që spitali i Burrelit të kryejë të gjitha shërbimet e mëparshme, madje të emërohen edhe mjekët specialistë që kanë munguar prej vitesh, ose mbërrijnë një herë në javë në këtë qytet.
Problemi bëhet shqetësues sidomos dhe në pavionin e maternitetit.


Për mjekët gjinekologë, situata është mjaft e rëndë, pasi gratë shtatzëna që do të lindnin me operacion në Spitalin e Burrelit, janë dërguar në spitalin e Lezhës dhe kjo thjesht se nuk ka mjek reanimator. Për situatën që po krijohet, banorë të këtij rrethi janë shprehur se do të nisin protestat deri në bllokimin e rrugëve nacionale nëse spitali i Burrelit do të mbyllet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›