Parakalimi i gabuar, 1 i vdekur, 3 të plagosur
KRUJË - Një parakalim i gabuar i ka kushtuar jetën një personi dhe ka rrezikuar 3 të tjerë ndër të cilët njëri është ende në gjendje kritike për jetën. Me gjithë masat e marra për të ulur numrin e madh të aksidenteve që po ndodhin në akset kryesore të rrjeteve rrugore të vendit, përsëri ka pasur aksidente dhe viktima të cilat flasin për një bilanc të hidhur të sezonit veror. Një ndër këto aksidente është regjistruar edhe në orët e pasdites në rrethin e Krujës.
Aksidenti
Sipas burimeve policore, aksidenti ka ndodhur në autostradën Vorë - Fushë-Krujë, dhe nga përplasja e dy mjeteve ka gjetur vdekjen e menjëhershme 42-vjeçari Viktor Preza dhe u plagosën rëndë tre persona të tjerë, të cilët tashmë janë në spital duke iu nënshtruar një kure intensive. Mësohet, sipas burimeve ende të pakonfirmuara, se viktima tjetër është një 43-vjeçar i cili ndodhet në gjendje tepër të rëndë shëndetësore.
Përplasja ka ndodhur gjatë parakalimit. Sipas procesverbalit të policisë të hartuar në vendngjarje, një "Benz" me targa TR 5237 G në tentativë për të parakaluar në hyrje të Fushë-Krujës, ka humbur kontrollin si rezultat i shpejtësisë dhe daljes jashtë kontrollit te mjetit, dhe është përplasur me pjesën e pasme të një trajleri transporti me targa TR 4733 G.
Përplasja ka qenë e fortë dhe nga goditja e mjeteve ka humbur jetën shtetasi Viktor Preza, rreth 42 vjeç, si dhe janë plagosur tre persona të tjerë të cilët janë dërguar me urgjencë në ambulancën e Fushë-Krujës e më pas janë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje kritike për jetën.
Hetimi
Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje dhe të dokumentuar në dosjen e ekspertëve të policisë, rezulton se të dyja mjetet, kanë qenë duke lëvizur në të njëjtin kah në drejtim të Fushë-Krujës për në Vorë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer ekspertizën për zbulimin e shkaqeve të këtij aksidenti, dhe ekspertiza ka rezultuar se ka qenë parakalimi i gabuar, si dhe shpejtësia jashtë normave të lejuara që ka bërë që aksidenti të ketë një bilanc tragjik për fatin e personave që udhëtonin në të.