E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të sëmurët, në spital me ventilatorë me vete

REPORTAZH/ Spitali i Fierit ka mungesa pa fund. Kondicionerët janë luks, teksa me vete duhet të marrësh çarçafët, ilaçet e të lutesh për qetësi


FIER - Qindra qytetarë i drejtohen çdo ditë spitalit rajonal të Fierit këto ditë të nxehta të korrikut. Vizitat janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga aksidentet e ndodhura, sëmundje të tjera patologjike apo nga simptomat e temperaturave të larta të muajit korrik dhe në këtë spital është e vështirë të përballohet. Shtrimet janë ditore në repartin e urgjencës, por ka edhe nga ata që shtrohen në spital dhe të gjithë përballen me të nxehtin e dhomave të pavioneve, të cilave u mungon aspirimi.


Ky fakt ka bërë që në shumë raste të boshatisen nga të sëmurët. Në të gjitha repartet si ai i kirurgjisë, pathologjisë, infektivit, pediatrisë e të tjera ambiente, të mungojë sistemi i ajrimit. Ajo që të bie në sy janë dyert dhe dritaret e hapura edhe pse ka të sëmurë që kanë nevojë për qetësi dhe nuk durojnë dot zhurmat e korridorëve, duke përfshirë këtu të plagosur nga aksidente apo operacione të ndryshme.


Të gjithë kanë të domosdoshëm freskinë dhe e vetmja mënyrë zgjidhjeje, është hapja e dyerve dhe dritareve për të krjuar njëfarë rryme ajri. Sipas shefave të pavioneve të pyetur për këtë problem, aspirimi i dhomave mungon në të gjithë spitalin, pasi të tilla kushte ka, por kjo gjë është zgjidhur nga familjarët. Sipas tyre, janë lejuar që ata të sjellin nga shtëpitë ventilatorë freskues, pasi vetë institucioni nuk e përballon dot "luksin" e kondicionerëve.


Gjithsesi, fatmirësisht nga kjo situatë bëjnë përjashtim reanimacioni dhe salla e operacionit. Ndërkohë, në të gjitha pavionet e këtij spitali duke filluar nga dhomat e urgjencës, analizave, radiografisë, reparti i pranimit të urgjencës, si në atë të shtrimit ditor apo dhe dhomat e vizitave, aspirimi mungon.


Ky institucion i vuan këto mangësi prej vitesh, pavarësisht se drejtoresha e këtij spitali, Donika Ajlushani, shprehet se kjo situatë do të rregullohet. Sipas saj, kanë mbërritur fondet dhe shumë shpejt do të nisë puna. Por deri sa të përfundojnë procedurat në të tilla raste, situata vijon të mbetet shqetësuese.


Ndërkohë, si për të sfiduar të nxehtin, në katin e tretë të patologjisë janë të dukshme njolla të lagështirës së mureve dhe banjave. Këto të fundit janë pasojë e mungesës së rubinetave të ujit ose të dëmtimeve të tyre rrjedhin pa pushim ujin e pijshëm, duke e bërë të vështirë futjen e pacientit në tualet, kurse lavamanëve që janë në dhoma u mungon rubineti ose janë me defekt.
Ndërsa në disa pavione, sidomos në krevatet bosh, të bien në sy çarçafë gjysmë të rrëzuar që zvarriten në tokë.


Rrëmuja është e lehtë të bjerë në sy, sidomos për shkak të dyerve e dritareve të lëna të hapura për shkak të dëshirës për pak fresk në këto ditë të nxehta. Por kujdes nuk duhet treguar vtëm për vapën, çarçafët e lagështirën. Teksa ecën në korridore, sytë duhet t'i përqendrosh pak në dysheme, pasi nuk është çudi që nga mungesa e pllakave të rrëzohesh.


Ndërsa në hyrje të spitalit streha kryesore e saj, tavani, pothuajse është i shkatërruar. Kjo është prognoza e këtyre ditëve në Spitalin Rajonal të Fierit edhe pse ka përpjekje nga personeli mjekësor dhe ai infermier për të minimizuar këto mangësi, gjendja përsa i përket ambienteve të dhomave lë shumë për të dëshiruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›