Mungon uji në Zhamë të Lushnjes, mbi 3 mijë banorë blejnë në autobote

Mbi 3000 banorë të fshatit Zhamë në Lushnje nuk kanë ujë në çezmat e tyre.
Këto ditë përvëluese të korrikut etjen për ujë e shuajnë duke mbushur në autobotet shëtitës nëpër fshatra, ndërsa puset plotësojnë nevojat e tjera për ujë.
Ndonëse tubacionet plastike që përcjellin ujin janë shtruar dhe sahatet matës janë vendosur, banorët thonë se uji vjen vetëm 1 orë në ditë por nuk arrijnë të furnizohen të gjitha familjet.
Në mes të ndotjes, në kanalet ku derdhen ujërat e zeza, janë shtrirë nga ndërmarrja ujësjellës kanalizime tubacionet e ujit për çdo familje dhe biznes.
Papastërtitë bëjnë që edhe në orarët e ardhjes së ujit ai të jetë i papërdorshëm.
Fshati Zhamë vuan nga problemet e furnizimit me ujë prej 30 vitesh. Tubat plastike janë vendosur 5 vite më parë dhe gjithë rrjeti i brendshëm është i çarë dhe shtrihet në vende të hapura duke sjellë çarjen e tyre në disa segmente. 2 km larg fshatit shtrihet stacioni i furnizimit me ujë në Konjat nga ku merr edhe Lushnja, por këta banorë nuk kanë ujë.
Gazetarë: Norel Zaimi
/RTSH/